TAGS-AT E JAVËS

Kulture21 Korrik 2025, 09:48

Laert Vasili nderohet nga Kisha Ortodokse e Kosovës, titullin ia jep miku i tij

Shkruar nga Pamfleti

Laert Vasili nderohet nga Kisha Ortodokse e Kosovës, titullin ia jep miku i

Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës ka nderuar aktorin e njohur të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Laert Vasili, me titullin e lartë kishtar “Kalorës i Shën Kostandin Dardanasit”, në vlerësim të kontributit të tij të çmuar në art dhe kulturë, si dhe të mbështetjes së vazhdueshme ndaj trashëgimisë shpirtërore e kombëtare të shqiptarëve.

Alban Hoti: “Laerti është një kalorës i Krishtit”
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në objektin e Kishës në Prishtinë, përfaqësuesi i Kishës, Alban Hoti, tha se ky titull nuk është thjesht simbolik, por një dëshmi e përkushtimit të thellë shpirtëror të Vasilit:

“Shpallim zyrtarisht titullin Kalorës i Shën Kostandin Dardanasit. Ky është një nderim për një misionar të heshtur, një shërbestar të devotshëm të Krishtit dhe popullit tonë.”

Ceremonia u zhvillua në kuadër të krijimit të Mitropolisë së parë Ortodokse Shqiptare të Kosovës, e përuruar më 20 prill në ditën e Pashkëve. Mitropolia drejtohet nga kryepeshkopi Nikolla Xhufka, i cili gjatë ceremonisë u lut për paqe, forcë dhe besim për Kosovën dhe institucionet e saj:

“Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës qëndron pranë çdo qytetari, afër shtetit dhe mbi të gjitha pranë atdheut.”

I emocionuar, Laert Vasili falënderoi Kishën për nderimin dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë ortodokse shqiptare, e cila për të mbart një dimension familjar dhe historik:

“Ortodoksia shqiptare është një amanet i të parëve të mi. E kam ndjekur këtë rrugëtim prej dy vitesh, krah për krah me fortlumturinë e tij, Nikolla, që me guxim dhe përkushtim ndoqi gjurmët e Fan Nolit, për të mbajtur meshën në gjuhën shqipe.”

Vasili përmendi edhe lidhjen personale me Jerotheo Andon Jahun, ungjin e gjyshes së tij, i cili kishte shërbyer si ekzark patriarkal i Konstandinopojës dhe më pas si murg në malin e shenjtë.

Ceremonia u ndoq nga përfaqësues të komunitetit ortodoks dhe besimtarë, ndërsa akti i nderimit u cilësua si një hap i rëndësishëm për afirmimin e identitetit ortodoks shqiptar në Kosovë dhe për rolin e artit në shërbim të vlerave shpirtërore.

laert vasili kisha ortodokse e kosoves

Lini një Përgjigje