
“Odiseja”, projekti më i ri i regjisorit Christopher Nolan, po konsiderohet si një nga filmat më të shumëpritur të vitit. Universal Pictures ka publikuar trailerin e ri, duke zbuluar detaje të reja nga ky prodhim ambicioz me përmasa epike.
Në pamjet e fundit, Odisea, i sjellë në ekran nga Matt Damon, përballet me Ciklopin, ndërsa Antinos, i interpretuar nga Robert Pattinson, përpiqet të marrë pushtetin në Itakë.
Kasti përfshin gjithashtu Anne Hathaway në rolin e Penelopës dhe Charlize Theron si Circe, ndërsa Tom Holland shfaqet si Telemaku. Në trailer vihet re edhe Argos, qeni besnik i heroit.
Pamjet përfshijnë skena të fuqishme aksioni, përfshirë episode nga lufta e Trojës dhe përballje me Lastrogonët, duke sjellë në ekran botën e pasur të mitologjisë greke, përfshirë edhe Sirenat.
Filmi bazohet në veprën klasike "Odisea" të Homerit, një nga tekstet më të rëndësishme të letërsisë botërore, i cili ka frymëzuar edhe adaptime të mëparshme në kinematografi ndër vite. Ndryshe nga versionet e hershme, kjo prurje e Nolan synon një realizim më modern dhe spektakolar, duke përdorur teknologjinë më të avancuar.
Regjisori e ka xhiruar filmin tërësisht me kamera IMAX, çka pritet të sjellë një përvojë vizuale mbresëlënëse në ekranin e madh. Megjithatë, projekti nuk i ka shpëtuar polemikave, kryesisht për përzgjedhjen e aktorëve që, sipas kritikëve, nuk përputhen plotësisht me origjinën gjeografike të mitit.
“Odiseja” është filmi i 13-të me metrazh të gjatë i Nolan dhe pritet të dalë në kinema më 17 korrik 2026, duke rikthyer një nga rrëfimet më të vjetra të njerëzimit në një formë të re për publikun modern.

Lini një Përgjigje