Arbnori, një institucion tolerance dhe shembull i njeriut që di të qëndrojë edhe në rrethanat më të jashtëzakonshme...
Ishte paraditja e 30 marsit 2006, kur trokita në portën e shtëpisë së Pjetër Arbnorit, diku përskaj stadiumit “Selman Stërmasi”. Teksa kujtuam ngjarjen e 2 prillit të vitit 1991 në Shkodër, për të cilën isha gjendur aty mysafir, filluam të shfletojmë albumin e fotografive që mbante mbi tavolinën e punës. Herë pas here, nxirrte prej aty foto të ndryshme dhe fillonte të rrëfente lidhjet e veçanta me njerëzit që kishte pozuar. Pastaj vazhdonte me detaje të ndryshme nga përjetimet me ta. Ndodhi një moment që mori në duar fotografinë me nënë Terezën dhe si ndënji mendushëm disa çaste, tha diçka me zë të ulët, gati sikur fliste me vete. “Ne shqiptarët i kemi mbetur borxh kësaj nëne të shenjtë me të cilën do të krenohemi tërë jetën”. Aty për aty desha ta pyesja për diçka rreth mbresave e tij nga takimet me nënë Terezën, po ai vazhdoi me merakun e vet: “I kemi dhënë nënë Terezës disa urdhra e tituj nderi në vitet e demokracisë. E kemi bërë madje edhe “Nderi i Kombit”. Po nuk i kemi dhënë atë që do ti rrinte më hijshëm. Nuk i kemi dhënë medaljen “Institucioni i tolerancës” Kush më shumë se ajo do ta meritonte ndër shqiptarët këtë titull nderi?!...” Nënë Tereza për Pjetër Arbnorin para së gjithash kishte qenë shenjëtorja e tolerancës dhe humanizmit njerëzor. “Kur e takova për herë të parë në vitin 1992, shtoi Pjetri, ajo me një mirësjellje brilante do ta vlerësonte domethënës faktin që unë ish i burgosuri i Burrelit, kisha filluar të punoja në zyrën e Enverit. “Është koha të falim”, më tha. “Dinjiteti i antikomunistëve të përndjekur është në provë pikërisht në këtë gjest njerëzor, ndryshe zhvillimet do ti fusim në një rrugë pa krye”. E dëgjova me vëmëndje dhe u mundova të depërtoja në ato çaste në thelbin e shqetësimit të saj. Më shumë se një mesazh i rastit, ishte një apel për tu ngritur mbi dhimbjet dhe urrejtjen...”
Nga mënyra si fliste, dukej se nga nënë Tereza kishte fituar shumë jo vetëm në profesionin e politikanit, por edhe në luftën për të mbetur i virtytshëm si njeri. Më shumë se asnjë herë, siç thoshte e kishte ndjerë pranë kur ishte përballur në burg me të venë e diktatorit, kur ishte takuar në rrugë me drejtorin e burgut të Burrelit, kur ishte shkëmbyer në bulevard me ish prokurorin që e dënoi me vdekje, kur ishte gjendur në një vaki krakë për krahë me hetuesin që e kishte torturuar për ditë e netë të tëra në qeli, kur kishte ndarë të njëjtën sallë në kuvend me gjykatësin që kishte firmosur urdhrin për pushkatimin e të afërmve të vet. “Kanë qënë çaste jo të lehta këto, më thoshte atë ditë Pjetër Arbnori, por duhej ti kaloja me durimin dhe mirësinë e nënës Terezë. Sigurisht që nuk ishte ndonjë sakrificë e madhe, po deshi forcën morale të asaj gruaje të madhe që i dhimbte në shpirt çdo ekses në mjedisin e bashkëkombësve të vet...”
Duke vazhduar me rrëfimin për nënë Terezën, ato çaste Pjetër Arbnori që ndjehej disi i brengosur nga mënyra si ziente realiteti politik i atyre ditëve, ju kthye natyrshëm filozofisë së jetës së tij. “Më është dashur të bëj një jetë jo të qetë e herë herë dramatike, po gjithnjë jam përpjekur për të mbetur njeri. E kam pasur vështirë, madje shumë, të ngre një strehëz, pa lënë tjetrin zbuluar, të siguroj një normalitet të brishtë jetese, pa cenuar normalitetin e tjetrit, të thyej brutalitetin e hetuesit dhe gardianit të burgut, pa shtuar vuajtjet e shokut të qelisë, të bëjë politikanin e urtë, pa cenuar kundërshtarin. Tani që jam më qetë e me më pak angazhime, kam kohë dhe i kthehem jetës time, të kaluarës dhe të sotmes. Dhe e di çfarë më del?! Ndoshta ndonjë gjë mund ta kisha bërë edhe më mirë. Po asnjëherë, në çfarëdo rrethane të vështirë që më është imponuar nuk e turpërova Pjetrin, si njeri. Pikërisht për këtë ndjehem krenar dhe në çdo kohë mund ti shikoj drejt në sy të gjithë, miqtë e kundërshtarët, ish persekutorët dhe ata që largohen rishtas tani që Pjetri nuk ka ndonjë pozicion zyrtar...”
Desha një moment të hapja kasetofonin e ta rregjistroja për ato që fliste, po ai refuzoi me mendimin se janë thjeshtë private dhe pa ndonjë interes për medien. Madje shtoi se ndonjëri nga politikanët do të fillonte ti deshifronte si qejf mbetje të tij, ndërkohë që Pjetri ndjehej i qetë e pa ndonjë brengë nga të tjerët. “Po këto i përkasin të kaluarës, i thashë, dhe nuk ma do mëndja ti keqkuptojë njeri.” Ndërkaq, ai kundërshtoi dhe filloi ta fus rrëfimin në tjetër hulli: “Presioni për ta denatyruar njeriun është i pranishëm edhe në shoqëritë e lira. E kam provuar me jetën time të kësaj dekade. Më kanë kërcënuar, më kanë ledhatuar, më kanë bërë shantazhe, më kanë joshur, më kanë premtuar, më kanë ofruar komoditete të ndryshme, më kanë intriguar, më kanë sharë, më kanë mikluar, më kanë ftuar parajsën në një vend perëndimor. E ku ta di tjetër çfarë nuk kam përjetuar. Po në asnjë rast nuk jam tunduar. Kam mbetur Pjetri që kanë njohur njerëzit në qelitë e Burrelit. Pjetri që hapi për njeriun e thjeshtë zyrën e diktatorit Enver Hoxha. Pjetri që foli në Asamblenë e Këshillit të Evropës, që drejtoi parlamentin e parë parlamentar shqiptar.”
Pastaj Pjetër Arbnori vuri në dukje se në mënyrë të vullnetshme i ishte futur një rruge që e kishte çuar në qelitë e Burrelit. Po atë ditë më tha se nga burgu kishte mundur të ruante një ditar sekret, të cilin sa kishte filluar ta zbardhte dhe do ta botonte shumë shpejtë. Ishte munduar gjatë dhe më në fund kishte vendosur që ato copa letrash të ruajtura në kushte shumë të vështira, ti bashkonte në librin e fundit që do ta titullonte “Lufta për të mbetur njeri!”
“Pavarësisht sistemeve të ndryshme, shtoi ai, tundimi për të shpërfytyruar njeriun, për ta turpëruar atë qenka i përçastshëm. Ndoshta me shpërfytyrimin e qenieve njerëzore të periudhës së burgjeve komuniste, që lexuesit do të kenë rast ta lexojnë te libri tim të shkruar qysh në atë periudhë, do të skuqen edhe këta të sotmit që shëmtojnë mjedisin shoqëror çdo ditë. Se anti-njeriu nuk ju ndaka shoqërisë njerëzore deri në varr...”
Në çast ra telefoni dhe dikush nga krahu tjetër e kujtoi për një kumtesë që do të mbante në një veprimtari për Azem Hajdarin. Si ju përgjigj atij, u kthye sërish nga unë. “Ja ma kujtoi ky miku që më mori në telefon edhe diçka tjetër rreth kësaj. Sa ishte gjallë Azem Hajdari mjaft nga ish misionarët e parë të idealeve të dhjetorit që zunë karrige në administratë, nuk rreshtën duke e anatemuar. Pati syresh që mbushën edhe shtypin e djathtë me lloj- lloj akuzash të shpifura. Ndodhi pas vdekjes së Azemit që kjo “ushtri” e pa fytyrë të mos shterë me konsideratat e jashtëzakonshme për të. E turpshme, po gjithsesi e vërtetë!.” Dhe sakaq shtoi edhe detaje të tjera për normat e pamoralshme që zënë vend në njerëz të veçantë që kujtohen për tjetrin kur ndërron jetë.
“Atëherë të bëjnë të mirë, të bëjnë atdhetar, të bëjnë figurë të shquar, duke harruar se sa ke qenë gjallë të kanë shpërfillur e të kanë braktisur”, përmbylli Pjetri me një maraz që i lexohej lehtas në vështrimin e menduar.
Desha ti kthehesha edhe një herë tolerancës së tij me ish persekutorët, që kishte lënë gjurmë në opinion, po ai i ra shkurt me një shprehje tipike “Nuk është heroizëm të falësh dhe nuk mendoj se kam bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Të gjithë bashkë vuajtësit e mi kanë bërë të njëjtën gjë. Madje pa bujë. Është koha të bashkëveprojmë, së pari shpirtërisht për të mirën e shoqërisë tonë...”
Dhe këtu mesa dukej duhej ta mbyllja bisedën e lirë me të. Atë ditë ai do të shkonte në Shkodër dhe nxitonte, pasi pak çaste më parë kishte nisur për aty familjen. U ndamë diku te rruga me paktin e lidhur me të se në gazetë do të botoja retrospektivën për ngjarjen e 2 prillit, për tu rikthyer në një kohë tjetër një refleksioni më të gjerë nga përjetimet e tij. Teksa ndaheshim ai përmendi edhe një herë se vazhdonte të besonte që ende i ishim borxhli nënë Terezës, zemërgjerësisë dhe tolerancës shembullore të saj...
E ndërsa prisja të takoheshim sërish për të vazhduar bisedën e premtuar, mora vesh lajmin e papritur për shuarjen e tij. E para gjë që mendova ishte borxhi që i mbeti në gjallje shoqëria shqiptare Pjetër Arbnorit, si një institucion tolerance dhe shembull i njeriut që di të qëndrojë edhe në rrethanat më të jashtëzakonshme./Pamfleti
Lini një Përgjigje