
Elhaida Dani po rikthehet fuqishëm aty ku nisi gjithçka: në Itali.
Por këtë herë jo si një zë premtues nga një talent show, por si protagoniste absolute e një prej projekteve më madhështore të skenës europiane.
Këngëtarja shqiptare do të jetë për gati dy vite rresht pjesë e turneut gjigant italian të musical-it legjendar “Notre Dame de Paris”, ku do të rikthehet në rolin ikonik të Esmeraldës – një rol që kërkon jo vetëm zë, por karizëm, disiplinë dhe pjekuri artistike.
Ky angazhim madhor do ta mbajë Elhaidën pothuajse tërësisht të fokusuar në Itali, pasi turneu do të shtrihet në teatrot dhe arenat më prestigjioze të vendit, me një kalendar të ngjeshur shfaqjesh. Kulmi absolut? Arena di Verona, ku musical-i do të ngjitet në skenë për 14 net rresht – një privilegj që pak artistë arrijnë ta prekin dhe që konsiderohet maja e suksesit në botën e spektaklit live.
Ky rikthim nuk është thjesht profesional, por edhe thellësisht emocional. Ishte pikërisht Italia ajo që i hapi Elhaidës dyert e famës, kur në vitin 2013 fitoi edicionin e parë të “The Voice of Italy”, duke mahnitur publikun dhe kritikën. Sot, më shumë se një dekadë më pas, ajo kthehet jo më si “zbulim”, por si një artiste e konsoliduar ndërkombëtare, e gatshme të mbajë mbi supe një nga rolet më të rëndësishme të teatrit muzikor europian.
Elhaida Dani do të jetë e vetmja artiste shqiptare në kast, në një produksion që ka bërë histori dhe vazhdon të mbushë sallat në çdo vend ku shfaqet. Përkrah saj do të rikthehen edhe emra të mëdhenj të skenës italiane, si Giò Di Tonno në rolin e Kuazimodos dhe Vittorio Matteucci si Frolo.
Turneu italian i “Notre Dame de Paris” nis më 26 shkurt 2026 në Milano dhe do të zgjasë deri në fillim të 2027-ës, duke përfshirë qytete si Jesolo, Pesaro, Reggio Calabria, Genova, Verona, Bari, Napoli, Torino, Roma dhe shumë të tjera.
Nga “The Voice” te Arena di Verona – rrugëtimi i Elhaida Danit është dëshmia se talenti i vërtetë, kur shoqërohet me punë dhe këmbëngulje, di gjithmonë të rikthehet… edhe më i fortë.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje