Jeta e panjohur me italianen Keti që i ruajti 20 vjet zemrën të balcamosur në studion e punës. Të pathënat e operacionit sekret për të prangosur skulptorin e shquar...
“Zemrën që ke dashuruar nuk bën ta lësh ta tresë dheu”. I bindur deri në amshim ndaj kësaj filozofie të veçantë, gjeniu i skulpturës shqiptare, Odise Paskali, pas vdekjes së bashkëshortes, ka ruajtur zemrën e saj për 20 vjet me radhë. Kur e ndjera ka ndërruar jetë, ia ka shkëputur atë nga kraharori dhe, pasi e ka përpunuar mirë e mirë, e ka vendosur në vendin më të dukshëm të studios së tij. Për herë të parë ngjarja e rrallë zbulohet nga e bija e artistit të madh, e cila gjatë një interviste ka zbardhur misterin e aktit të pazakontë, që Paskali në gjallje e ruajti me fanatizëm në privatësinë e tij. Eshtë një epilog dashurie i padëgjuar dhe në baladat e hershme. Fati do t’i rezervonte këtë fund historisë interesante të dashurisë së skulptorit më të shquar shqiptar me italianen Keti. E lindur diku nga mesi i viteve ‘20, në auditorët e Universitetit të Torinos, dashuria e pastër mes dy të rinjve të kombësive të ndryshme do të mbyllej një ditë vjeshte të vitit 1947, në një strehë modeste në Tiranë. Në çastet fatale me trupin e pajetë të shoqes në shtëpi, Odise Paskali do ta bënte atë që besonte. Teksa përgatiste për ta përcjellë drejt banesës së fundit trupin e asaj që kishte dashur më shumë në jetën e vet, do të ruante për kujtim zemrën e saj. E bija, Floriana, duke ndriçuar jetën e panjohur të të atit, thotë se zemrën e Ketit e mbajti për 20 vjet në ballin e studios së tij dhe çdo ditë sa futej e dilte prej aty përshëndetej me të në një mënyrë të veçantë. Në emër të dashurisë së këputur në mes, Paskali kishte daltuar ndërkaq edhe bustin e Ketit, që e ruante në krah të zemrës. Për të, thotë Floriana, këndi në të cilën i kishte vendosur ishte diçka i shenjtë dhe hyjnor. Po kush ishte vajza nga Torino që mori zemrën e gjeniut të artit shqiptar? Pse nuk është njohur në opinion kjo pjesë e jetës së Paskalit? Kush ishin njerëzit me të cilët ai ndau dhimbjen për humbjen e Ketit, bashkëshortes që donte sa edhe jetën e vet...
Zonja Floriana! Në librin për babanë tuaj përmendni një personazh të panjohur deri tani. Italiania Keti, për të cilin flisni në këtë monografi, shfaqet për herë të parë si një nga bashkëpunëtoret e afërta dhe njeriu i zemrës së mjeshtrit Paskali...
Ka qenë një marrëdhënie e veçantë e babait tim me Ketin, vajzën me të cilën u lidh kur studionte në Torino. U dashuruan aty dhe ngritën srehëzën në Tiranë, ku jetuan bashkë për vite me radhë. Krijuan një familje model me një harmoni të shkëlqyer, e cila do të shkonte kështu deri në vitin 1946. Deri në çastin fatal, ku Keti do të ndërronte jetë papritur në duart e babait. Ka qenë kjo një nga dhimbjet më të mëdha që ka përjetuar ai. Por gjeti forca dhe e mori veten. Gjithsesi, kujtimeve të Ketit asnjëherë nuk iu ktheu krahët. As atëherë kur u martua me nënën tonë, as kur u bë baba, as atëherë kur i thirrën gjysh...
Pra, Keti ka qenë gruaja e parë e babait tuaj. Si ka mundësi që për të nuk është folur kurrë?
Babai e ka pasur të shenjtë privatësinë dhe çdo gjë që kishte të bënte me të kishte dëshirë të mbetej pronë e tij. Ai asnjëherë nuk e pa të arsyeshme për t’u treguar të tjerëve për talentin dhe fisnikërinë e rrallë të saj. Në asnjë rast nuk ka bërë të njohur për opinionin kujtimet intime që kishte me të. Po kështu edhe dhimbjen për humbjen e parakohshme të saj u mundua ta manifestojë brenda vetvetes. Në këtë mes mendoj se, përveç principit të shenjtërisë së marrëdhënieve me Ketin, kishte edhe një arsye tjetër, që e bënte babanë ta mbante çdo gjë brenda vetes dhe mos t’i kushtonte shumë publicitet familjes.
Cila mendoni se ka qenë arsyeja tjetër që Odiseja e ka ruajtur disi në fshehtësi bashkëjetesën me Ketin?
Kjo gjykoj se ka të bëjë me kontekstin e kohës kur ata krijuan familjen në Tiranë. Jemi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe triumfi i komunistëve do t’u jepte një lloj sensibiliteti marrëdhënieve me të huajt, sidomos me ata italianë, për vet aktivitetin e ushtrisë së Duçes gjatë okupimit fashist të Shqipërisë. Ndjeshmëria e njerëzve menjëherë pas luftës, për më shumë ideologjizmi i marrëdhënieve me të huajt, padyshim do të ishte një rrethanë shtrënguese për familjen e babait, i cili kishte zgjedhur shoqe të zemrës një vajzë italiane nga një familje aristokrate.
Si ua përshkruante babai historinë e njohjes me Ketin dhe çfarë mbani mend nga kujtimet e tij për të?
Historia e dashurisë së tyre zë fill në vitet ’20, kur të dy studionin në Torino. Ajo, një vajzë nga një oborr aristokrat, dhe Odiseja, një djalë i talentuar që studionte në Torino për Histori Arti dhe Filozofi. Pas një njohjeje spontane, të dy kanë gjetur njeriun e zemrës te njëri-tjetri dhe kanë krijuar familjen, fillimisht në Itali e më vonë në Tiranë. Nga shoqet e Ketit dhe të babait të viteve të shkollës kam pasur rast të lexoj shumë kujtime, në të cilat bëhet fjalë për një dashuri të pastër e të mbështetur mbi motive të qenësishme.
Pas kësaj njohjeje të dy do të vinin të jetonin në Shqipëri.
Nuk kishin mundësi për t’u sistemuar në Torino, ca më tepër kur familja e Ketit kishte kushtet komode dhe një pozicion të favorshëm shoqëror atje?
Për këtë kam folur gjatë me babanë. E kam pyetur herë pas here, madje në ndonjë rast e kam quajtur edhe aventurë vendimin e tyre për të lënë Italinë e për t’u kthyer në Shqipërinë e shkatërruar të asaj periudhe. Po çuditërisht ai në asnjë rast nuk ndjente pendesë për atë që kishte bërë, madje shpesh thoshte se njëqind herë të gjendej përpara kësaj dileme, të njëqinda herët do të vepronte njësoj. Ishte idealist dhe çdo gjë nga kënaqësitë e veta e lidhte me fatet e atdheut. Një lloj rilindësi i lindur. Këtë ia kishte kuptuar me sa duket edhe Keti, që në asnjë rrethanë nuk e vuri në diskutim vendimin e tij për ta kthyer talentin e tyre në pronë të vendit tonë.
Pas vdekjes së Ketit, Paskalit i duhej të krijonte të tjera marrëdhënie. Një martesë tjetër me nënën tuaj, një familje të re në të tjera rrethana. A u fashitën kujtimet e tij për dashurinë e parë dhe çfarë përfaqësonte për të vajza nga Torino, që i fitoi zemrën gjatë viteve të shkollës?
Për babanë kujtimet për Ketin ishin pjesë e shpirtit të tij. Unë vërtet kam ardhur në jetë shumë më vonë nga vdekja e saj, por qysh fëmijë më ka ndjekur imazhi që më kishte rrënjosur babai për të. Pastaj, nga mënyra se si e kishte vendosur ai profilin e familjes, Keti do të mbetej gjithnjë në ballin e vendit. Gjithnjë e re, energjike, e brishtë, e dashur...
Kur thoni në ballin e vendit, kini parasysh nderimin e Odisesë për kujtimin e Ketit?
Kur them në ballin e vendit, kam parasysh shumë më tepër se kaq. Mjafton të kujtoj që babai deri ditën e fundit të jetës e pati në ballin e studios së tij bustin dhe zemrën e Ketit. Për të prania e tyre në vendin më të dukshëm ishte mjaft domethënëse. Dhe po t’i vije re mënyrës së veçantë si komunikonte me to sa herë futej e delte nga studioja, patjetër që do të emocionoheshe e do të bije në mendime. Ishte një ritual i përditshëm. E niste ditën e punës me pastrimin e bustit dhe ledhatimin e enës së qelqtë ku ishte zemra e Ketit dhe pas disa çasteve mbërthyer mbi to, fillonte nga projekti që kishte lënë në mes. Për të këto momente ishin të shenjta, diçka intime e hyjnore njëherazi. Askënd nuk pranonte ta shkëpuste sadopak nga ky komunikim i heshtur dhe asnjërin nuk preferonte ta sqaronte për atë që bënte.
Me siguri që bustin e kishte bërë vet apo jo?
Bustin e Ketit e kishte bërë vet, siç thoshte, jo me thonj e me daltë, po me shpirt. Madje jo vetëm kaq, por e mbante veprën më të mirë të tij. E kanë pohuar këtë edhe mjaft nga kolegët dhe njerëzit e shquar të artit. “Keti” ka qenë një vepër e rrallë që vështirë se përsëritet...
Pse thoni ka qenë, a nuk është ruajtur kjo vepër e rrallë?
Si gjendje inventari është, po e denatyruar. E denatyruar në një mënyrë profesionale, që nuk mund të restaurohet më. Ka vënë dorë mbi të një dorë e fëlliqur, pikërisht atëherë kur në studion e babait vërshuan si talebanët disa pseudoartistë, në kohën që babai kishte ndërruar jetë.
Po kjo “zemra” që mbante në studio Paskali, ishte ndonjë punim tjetër?
Ishte zemra e vërtetë e Ketit...
Zemra e Ketit? Si ka mundësi?
Po, po, zemra e saj! Atë e pati ruajtur babai të balsamosur në një enë qelqi. Sa herë futej në studio atij i dukej se dëgjonte tik-takun e saj. Kur isha e vogël nuk mund ta kuptoja domethënien e këtij rituali, po më vonë do ta merrja vesh.
Në çfarë kushtesh e ruajti Paskali zemrën e Ketit?
Kjo është një histori më vete, me të cilën ai na njohu kur ishim rritur. Vetëm atëherë na ka rrëfyer misterin që fshihej pas saj. Qysh nga ajo kohë e deri sot nuk kam dëgjuar një ngjarje të tillë. Gjithsesi, babai dëshironte që kjo të mbetej në privatësinë e familjes dhe të dashamirësve të tij. Ishte një zgjidhje e tij në emër të një dashurie dhe të përjetësisë së saj. Nejse, të flasim për kushtet në të cilat babai duhej të prodhonte këtë histori...
Si mundi ta ruajë zemrën e Ketit?
Kur morën fund përpjekjet e jashtëzakonshme të babait për t’i shëruar sëmundjen në vesh, që më vonë do t’i depërtonte në tru, duhej ti bënte përcjelljen e lamtumirës. Keti po ikte, por zemrën e saj që rrahu kurdoherë me zemrën e tij ai nuk donte që ta treste dheu. E dashura e tij që la çdo gjë në vendlindjen e saj për t’i qëndruar pranë, tashmë duhej të tretej në tokën e huaj. “Të paktën t’i ruaj zemrën”, mendoi babai dhe me mënyrën e tij realizoi atë që i tha zemra e vet. Në kuzhinën e vogël të banesës dy-katëshe në bulevardin “Zogu i Parë”, në katin e parë të së cilës ishte atelia e tij e punës, ngriti laboratorin që i duhej. Mbylli derën dhe filloi të operojë vet mbi trupin e të dashurës pa jetë. Hapi kraharorin e saj dhe i mori zemrën. Pasi e përpunoi me formalinë, të cilën e kishte siguruar më parë, e futi në një enë qelqi të porositur enkas për këtë punë. Pastaj e vuri në ballin e studios.
Dhe e ruajti aty për shumë vite...
Për gati 30 vjet e ruajti në studion e tij, si një gjë të shtrenjtë. Përpara saj ndjehej i qetë dhe i ngazëllyer njëherazi. Nuk kishte dëshirë që këtë ta bënte publike. Mjafton ta dinim ne, fëmijët dhe të dashurit e tij. Ishte dashuria e tij e këputur në mes. Zemra e Ketit ishte imazhi i saj.
A kishte njeri që e ndihmoi për balcamosjen e zemrës?
Jo. Unë thashë që ai u mbyll i vetëm në kuzhinë dhe aty manipuloi vet me trupin e Ketit. E kishte mësuar më parë fatin e keq të saj dhe kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për të përpunuar zemrën, që do t’ia ruante si kujtim të përjetshëm. Po të njëjtën gjë bëri edhe me trupin e saj. E balcamosi vet me merak dhe e veshi me rrobat që i kishte lënë amanet Keti. Me një përkujdesje të veçantë përgatiti edhe banesën e fundit të saj. Kishte përgatitur dy arkivolë që futeshin te njëri-tjetri. I pari që mbante trupin e saj ishte metalik. I dyti, brenda të cilit futej i pari, ishte prej druri. Të dy arkivolët në të katër cepat, kishin katër gypa ajrosje. Po kështu edhe në katër cepat e varrit të madh që i bëri, kishte katër gypa ajrimi që komunikonin me vrimat e dy arkivoleve. Për shumë vite kjo banesë e veçantë e Ketit hijeshonte varrezat publike të “Varrit të Bamit”. Kur do të zgjerohej qyteti i Tiranës bëmë transferimin e saj prej aty në Sharrë, aty ku prehet edhe babai...
Përveç bashkëjetesës me Ketin, për të cilën nuk është folur më parë, ka pasur ngjarje të tjera që nuk njihen për Odise Paskalin?
Është edhe një ngjarje tjetër me të cilën jemi njohur shumë vonë. Një ndodhi që ka të bëjë me misterin e një operacioni të fshehtë të Sigurimit të Shtetit, për ta futur në burg si element antiparti. Dikush kishte përgjuar në jetën e tij, dikush kishte hulumtuar në dorëshkrimet e tij dhe e kishte denoncuar te operativi i Sigurimit. Që këtej kompetenti do të ndërtonte skemën e një operacioni në të cilën do të angazhohej edhe ministri i Brendshëm për ta prangosur tim atë si tradhtar dhe njeri që ruante nostalgji për jetën në metropolet borgjeze të Italisë. Procedura për të goditur Odisenë arriti deri te Enver Hoxha. Për këtë unë di fare pak. Di që ende janë gjallë protagonistët e këtij operacioni. Ashtu siç është ende gjallë edhe njeriu që e këshilloi. Me sa di ka qenë Xhelil Gjoni, që e ka mbyllur këtë histori me një qortim në zyrën e sekretarit të Komitetit të Partisë së Tiranës.
DETAJ 1
Mjeshtri me papion, çdo të diel te “Varri i Bamit” me pajton
“Ai vinte çdo të diel, gjithnjë në orën 10:00 dhe rrinte gati gjysmë ore te varri i së shoqes. Ndizte nga një qiri te katër qoshet e tij, vendoste një tufë të madhe me lule dhe ikte i përlotur”. Kështu e nis rrëfimin e tij 80-vjeçari Xhem Shkreta, njeriu që ka bërë varrmihësin e Komunales në fillimin e viteve ‘50. Ai është njohur me mjeshtrin e skulpturës krejt rastësisht, teksa i ka tërhequr vëmendjen rituali i veçantë i homazhit të tij.
“Mëngjesin e çdo të diele, te hyrja e varrezës do të shfaqej pajtoni me të cilin vinte përherë”, kujton Shkreta. “Si gjithnjë i veshur ‘shik’ me një kostum të zi dhe papion te fyti. Mbante kurora me lule të bukura në dorë dhe shpesh më kërkonte ta ndihmoja për ta shoqëruar te varri i Ketit. Pastaj ecte më ngadalë. Ngadalë dhe i përlotur. Shkonte te strehëza e së shoqes dhe përulej në gjunjë. Ishin çastet kur ai nuk donte t’i rrinte njeri pranë. Rrinte gati gjysmë ore ashtu. Kush e di çfarë bënte. Si çohej në këmbë, fillonte të pastronte varrin dhe rregullonte kurorat me lule, që rrallëkush i kishte atëherë...”.
Për vite të tëra, sipas varrmihësit Shkreta, Odise Paskali do t’i nënshtrohej këtij rituali në një mënyrë gati të çuditshme. Kështu deri në ditën kur “Varreza e Bamit” do të çpopullohej, për të ndërruar destinacion. Pikërisht atëherë mjeshtri do të paraqitej nga të parët, madje me një staf të tërë. Ndër njerëzit që ka marrë pjesë në zhvarrimin e Ketit ka qenë edhe Xhem Shkreta. I ka të paharruara mbresat e asaj dite 70-vjeçari që ka bërë varrëmihësin në vitet ‘50. “Atë ditë profesori ishte tërësisht i hutuar, po e mbante veten. Çdo gjë e bëri me përkujdesjen e tij, ashtu siç drejtoi nga afër edhe rivarrimin në zonën e Sharrës”, shton Xhem Shkreta, që e ka përjetuar nga afër këtë ritual të trishtë të mjeshtrit të madh të skulpturës shqiptare.
Detaj 2
Në 60 vjet, 600 vepra
Në 60 vjet, “Skulptori i Popullit”, Odise Paskali, ka bërë rreth 600 vepra. Më shumë se galerinë e gjerë të personazheve, mjeshtri i shquar ka gdhendur në bronz historinë e Shqipërisë, duke bërë monumentin e të gjitha figurave të kombit, që nga rilindja, pavarësia, monarkia, Lufta Nacionalçlirimtare e deri te regjimi komunist. “Luftëtari Kombëtar”, “Skënderbeu”, “Fan Noli”, “Onufri”, “Ahmet Zogu”, “Enver Hoxha”, “Naim Frashëri”, “Flamurtari i Vlorës”, “Çerçiz Topulli”, “De Rada”, “Pashko Vasa”, “Migjeni”, “Isa Boletini”, “Idriz Seferi” etj. janë vetëm një pjesë e monumenteve që ka bërë Odise Paskali
Detaj 3
Esse-ja e lamtumirës
“Esse-ja nr.425” Kështu e ka cilësuar në librin e kujtimeve Odise Paskali njërën prej krijimeve spontane, që është njohur ndryshe si eseja e lamtumirës. Në pak radhë mjeshtri i shquar i skulpturës ka hedhur një mesazh interesant, që sa herë e lexon të vë në mendime. Ja ç’thotë ai: “Lavdia shpesh ndrin kur protagonisti ka vdekur. Njeriu që luajti një rol të nderuar për shoqërinë, i lë asaj trashëgim veprën, mundin, shpirtin që shkëlqen i rrethuar me aureole. “Si trashëgim ju lëmë shpirtin tonë” këndoi Asdreni ynë. Kjo është lavdia që lë vlerat e vërteta të shkrira në jetën e pavdekshme të kombit”./(Vijon...)/Pamfleti
Në vijim do të lexoni:
Rrëfimi i Adriatik Kallullit, studiuesit që Paskali i besoi redaktimin e librit të kujtimeve
Si u penalizua mjeshtri i skulpturës shqiptare për shkelje të moralit komunist dhe ideologjisë proletare në krijimtari
Nostalgjia e artistit për idealistin Bled Paskali dhe hulumtimet e ekspertëve të besuar të Partisë mbi shfaqjet dekadente në librin “Gjurmë jete”
Odiseja e veprës së Paskalit gjatë kontrollit të fshehtë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”
Kush ishin njerëzit që censuruan kujtimet e gjeniut të skulpturës dhe çfarë mbeti në librin e botuar nga dorëshkrimi i tij
Lini një Përgjigje