TAGS-AT E JAVËS

Kulture20 Mars 2023, 08:40

20 marsi, Dita Ndërkombëtare e Lumturisë

Shkruar nga Pamfleti

20 marsi, Dita Ndërkombëtare e Lumturisë

Bota vërtet ka nevojë për një ditë plot buzëqeshje dhe prandaj Kombet e Bashkuara e shpallën Ditën ndërkombëtare të Lumturisë. Në korrik të vitit 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars.

Fillimisht u konceptua dhe u themelua në vitin 2006 nga Jayme Illien, CEO e projektit të Kombeve të Bashkuara, organizatë që e ka cilësuar lumturinë si një qëllim themelor për t’u ndjekur nga të gjithë njerëzit.

Të qenurit i lumtur kërkon plotësim të shumë aspekteve të jetës së përditshme. Një nga këto është edukimi. Një fëmijë apo staf pedagogjik kalon rreth 7 orë të ditës në mjediset shkollore. Pra, mund të themi që ndikimi është relativisht i lartë.

Kur kujtojmë ditët tona të shkollës, një buzëqeshje shfaqet menjëherë në fytyrën tonë: kur kujtojmë miqësinë; mësuesit dhe mësimet argëtuese. Për të tjerë, kujtimi i shkollës është diçka që duan ta harrojnë.

Duke synuar të promovojë lumturinë, mirëqenien dhe zhvillimin tërësor në shkolla, UNESCO në Bangkok ka filluar projektin “Shkolla e Lumtur”. I përqendruar në konceptet thelbësore – Njerëzit, Procesi, Vendi – ky projekt përfshin ndërtimin e marrëdhënieve pozitive midis mësuesve dhe nxënësve; promovimin e argëtimit dhe angazhimit në të nxënë dhe krijimin e një mjedisi shkollor pa bullizëm. Ai ofron një vizion të ndryshëm për cilësinë e arsimit, në të cilin vlerësohen, njihen dhe festohen talentet, pikat e forta dhe aftësitë unike të nxënësve.

Provat janë të qarta se kur mësuesit dhe nxënësit janë të lumtur në shkollë, të gjithë përparojnë më mirë. Studimet tregojnë se kur stafi është i lumtur në punë ata janë më produktiv, më kreativ; sëmuren më pak; janë më të mirë në punët e tyre dhe kanë nxënës më të lumtur.

dita ndërkombëtare e lumturisë unesco

Lini një Përgjigje