
Një parcelë me kanabis është zbuluar në Mallakastër nga Policia e Fierit. Të arrestuarit janë 53-vjeçari Arben Sulo dhe 34-vjeçari Elidon Shehaj. Policia asgjësoi 1881 fidanë lëndë narkotike kanabis në Çërrilë të Mallakastrës.
Dy të arrestuarit, u kapën mat duke ujitur parcelat me drogë, ndërsa kryeplaku i fshatit dhe 1 person tjetër i dyshuar si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale, u proceduan penalisht.
“Gjatë kontrolleve, në fshatin Çërrilë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër gjetën një parcelë me 1881 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në parcelë, u kapën në flagrancë duke ujitur fidanët narkotikë, shtetasit A. S., 53 vjeç, banues në Greshicë dhe E. Sh., 34 vjeç, banues në Çërrilë, të cilët u arrestuan për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike”. Në lidhje me këtë rast u procedua penalisht kryeplaku i fshatit, shtetasi I. S., 63 vjeç, për veprën penale "shpërdorimi i detyrës", bëri me dije policia vendore.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal edhe për M. Z., 44 vjeç, banues në Ballsh, ku gjatë kontrollit të banesës, iu gjetën një armë sportive, 12.400 euro, 400 paund dhe rreth 900.000 lekë të reja, të cilat dyshohet se ishin në funksion të kësaj veprimtarie kriminale.
“Fidanët narkotikë u asgjësuan me anë të djegies. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje