
Dy persona janë arrestuar në Malësinë e Madhe dhe dy vëllezër janë shpallur në kërkim pasi akzuohen se kultivonin kanabis.
Policia zbuloi familjen që kultivonte plantacione me hashash në zonën e thellë pyjorë në Malësine e Madhe, ndërsa nën hetim është edhe një grua.
Në pranga ranë Ermir Shabaj dhe Kadri Shabaj, 47 dhe 74 vjeç, të afërm mes tyre.
Policia sekuestroi 5093 bimë narkotike të kultivuara, në fshatin Alijaj.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. Sh., 47 vjeç, dhe K. Sh., 74 vjeç, banues në fshatin Alijaj. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasja S. Sh., 57 vjeçe, dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Sh., 22 vjeç, dhe G. Sh., 25 vjeç (vëllezër), të afërm të gjithë me njëri-tjetrin.
Gjatë operacionit në terren, u zbuluan afër banesave të tyre parcelat e mbjella me kanabis satiova. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.
Dosja për hetime të mëtejshme i kaloi prokurorisë vendore për të thelluar hetimet që janë ende aktive dhe zbuluar të gjithë dinamikën e ngjarjes”, njofton policia.
Lini një Përgjigje