
Zbardhen detajet e arrestimit të Vangjush Dakos.
Kërkesa e depozituar në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë ndaj 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë Durrës, është bërë nga prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, i cili pas disa muaj hetime në një çështje penale, ka konstatuar parregullsi në procedurat e ndjekura gjatë ndërtimit të një pallati në qytetin e Durrës.
Për këto parregullsi sipas SPAK, përgjegjës është ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Drejtoresha Juridike në bashkinë Durrës, Lira Kërtusha dhe 8 persona të tjerë të Urbanistikës, INUV, ALUIZNI, përfshirë këtu dhe një administrator kompanie private, që ka ndërtuar objektin pa lejë në qytetin e Durrësit.
Për këtë çështje dy muaj më parë Vangjush Dako u paraqit në SPAK, duke dhënë pretendimet e tij.
Mësohet se një gjyqtar ka vendosur mospranimin e kërkesës së prokurorisë, për arrestimin e Vangjush Dakos dhe caktimin e masës së sigurisë personale për personat e tjerë. Pas këtij vendimi, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, këtë javë e ka apeluar Vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Vangjush Dakon dhe disa persona të tjerë.
Ndërsa masa më të buta si “arrest në shtëpi” janë kërkuar për disa nga femrat e proceduara në këtë procedim penal që po hetohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit pa leje” për qëllime përfitimi.
Lini një Përgjigje