
Gjykata ka caktuar ‘arrest shtëpie’ për biznesmenin Vladimir Topi. Prokuroria thotë se biznesmeni nga Lushnja që administron kompaninë e ndërtimit “Dricons”, ka paguar një shumë prej 3.3 milion lekë të vjetra tek sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, me qëllim fitimin e një tenderi me vlerë 8 milion lekë të vjetra.
Topi është lënë në arrest me burg për shkak të moshës, ai është 73 vjeç.
Që nga themelimi, kompania e Vladimir Topit rezulton se ka marrë në total 166 tendera publikë, me vlera modeste, për shkak se objekt i tenderit, kryesisht ka qenë mbikëqyrja e punimeve, pra zbatimi i kontratave. Nga 166 tendera, kompania ‘Dricons’ ka marrë vetëm 8 tendera në shëndetësi. Nga këto 8 tendera, vetëm tenderi për të cilin u arrestua është firmosur nga Joana Duro. Tenderat e tjerë janë firmosur nga Merita Xhafaj dhe Loreta Balaj.
Nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kompania ‘Dricons’ ka marrë tre tendera me vlerë rreth 20 mijë euro për mbikëqyrje punimesh, ndërsa rreth 150 tendera i ka ftuar nga njësitë vendore. Edhe pse shërbimi i mbikëqyrjes së punimeve tenderohet në vlera të ulëta, ky proces është tejet i rëndësishëm për zbatimin e kontratave dhe cilësinë e punimeve për objektet publike nga kompanitë private që fitojnë tenderat. Nuk kanë munguar rastet e kompromisit të paligjshëm mes kompanive mbikëqyrëse dhe kompanive që zbatojnë kontratat, duke manipuluar me volumin dhe cilësinë e punimeve, për të ndarë fitimet bashkë.
Lini një Përgjigje