
Prangoset ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Prokuroria e Posaçme lëshoi urdhër-arresti për Dakon dhe 9 ish-zyrtarë të tij, ndërkohë që mësohet se policia e ka ekzekutuar disa urdhëra. Mësohet se aktualisht Dako ndodhet në Policinë e Tiranës. Prej disa ditësh ai ka qenë nën mbikëqyrje dhe sot ka pasur një thirrje nga policia. Pasi ka mbërritur në drejtori, ai është prangosur.
Mësohet se forcat e policisë kanë mësyrë në banesat e 10 personave në fjalë, ndërkohë që për 7 prej tyre gjykata ka dhënë masë sigurie “arrest me burg”, ndërsa për 3 të tjerë” arrest shtëpie”. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion dhe falsifikim dokumentesh sa i takon lejeve të ndërtimit.
Bëhet fjalë për një padi të bërë ndaj Dakos pas tërmetit të fuqishëm në Durrës. Një pallat u dëmtua rëndë dhe banorët bënë një padi ndaj tij, pasi projekti ishte që pallati të ishte 10 kate. Mirëpo Dako kishte dhënë leje për 4 kate shtesë duke e çuar në 14 kate. Pikërisht kjo manovër dyshohet se bëri që pallati të shembej.
Sipas banorëve, pallati i tyre ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ishte klasifikuar i banueshëm ne nivelin e dëmit DS2, në një kohë kur animi tij është përcaktuar nga ekspertët në nivelin 51 cm, ndërsa eksperët privat e klasifikojnë mbi 60 cm. Ata akuzonin Bashkinë, Institutin e Ndërtimit si dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, për fshehje të dëmit real të pallatit.
Po ashtu ai akuzohet edhe për abuzime me një tender me vlerë 180 mln lekë të vjetra. Bëhet një tender për mbushjen me rërë të bregut të Currilave, ku do bëhej një shëtitore. Në këtë projekt u shpenzuan afro 180 milionë lekë, por ai nuk është realizuar. Padia mbi abuzimin me tenderin u bë nga KLSH.
Kërkesa e depozituar në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë ndaj 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë Durrës, është bërë nga prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, i cili pas disa muaj hetime në një çështje penale, ka konstatuar parregullsi në procedurat e ndjekura gjatë ndërtimit të një pallati në qytetin e Durrës, por edhe me ndërtimin e shëtitores.
Për këto parregullsi sipas SPAK, përgjegjës është ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Drejtoresha Juridike në bashkinë Durrës, Lira Kërtusha dhe 8 persona të tjerë të Urbanistikës, INUV, ALUIZNI, përfshirë këtu dhe një administrator kompanie private, që ka ndërtuar objektin pa lejë në qytetin e Durrësit.
Vangjush Dako, ish-kreu i Bashkisë Durrës
Adhurim Qehajaj, ish-drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit
Adlei Likmeta, ish-drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit.
Lira Kërtusha, ish-juriste e Urbanistikës
Nandi Tocilla
Rozi Kovaçi
Lini një Përgjigje