
Prokuroria e Posaçme ka mësyrë sot në Bashkinë e Durrësit. Mësohet se janë lëshuar urdhër-arreste për 10-ish zyrtarë të kësaj bashkie, mes të cilëve dhe për ish-kryetarin, Vangjush Dako. Prej 3 ditësh në korridoret e politikës flitej se Dako do të arrestohej, ndërkohë që sot u bë me dije se bëhet fjalë për një hetim lidhur me falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Urdhër arrestet e SPAK që po zbatohen aktualisht janë 7 arrest me burg dhe tre arrest shtëpie.
Më 17 mars të këtij viti, Vangjush Dako u pa në dyert e SPAK-ut, ku u mor në pyetje për më shumë se 3 orë nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në lidhje me një kallëzim për dëmtimin e një pallati në Durrës gjatë kohës së tërmetit të 26 nëntorit 2019. Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë e Posaçme në shtator të 2020-ës nga banorët e pallatit që u dëmtua pas tërmetit, me dyshimin se, Dako, në kohën që ka mbajtur detyrën e kryetarit të Bashkisë, ka miratuar lejen për katër kate shtesë edhe pse projekti fillestar parashikonte një godinë me 10 kate.
Dyshohet se urdhër-arrestet janë lëshuar pikërisht për këtë ngjarje, megjithatë pritet një reagim nga SPAK-u. Duhet theksuar se Dako është një ndër zyrtarët e shpallur “non grata” nga SHBA-ja dhe prej muajsh është folur se ai do të arrestohej. Ndërkohë interesant është fakti se kryeministrit, Edi Rama po i bien një e nga një miqtë e tij, pasi Dakon e ka cilësuar shpesh si mik.
Lini një Përgjigje