TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Shtator 2025, 15:56

Zbardhen detaje të reja për vdekjen e italianit në Salari, familja Braçe dëshmi kontradiktore

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhen detaje të reja për vdekjen e italianit në Salari,

Zbardhen detaje të reja nga vdekja misterioze e shtetasit italian Edoardo Sarchi, trupi i të cilit u gjet pranë rrugës në zonën Dilan, mes Nivicës dhe Salarisë. Hetimi po merr një tjetër kthesë pas dëshmive kontradiktore të familjes Braçe, të cilët janë shoqëruar dhe marrë në pyetje disa herë nga autoritetet.

Në fokus të hetimeve janë Eqerem Braçe dhe dy djemtë e tij, Daniel dhe Gazmend Braçe, të cilët ndodheshin me viktimën mbrëmjen e ngjarjes. Sipas burimeve të Pamfletit, familja ka dhënë jo një, por tre versione të ndryshme për atë që ndodhi.

Fillimisht ata kanë deklaruar se Sarchi u gjet i pajetë në anë të rrugës. Më pas, kanë ndryshuar rrëfimin duke thënë se ishte ende gjallë, por u plagos dhe vdiq në duart e tyre. Në dëshminë e tretë, kanë pretenduar se ishin bashkë për gjah dhe u përballën me persona të panjohur që i qëlluan me armë.

Këto mospërputhje kanë vënë në alarm Policinë dhe Prokurorinë, të cilat kanë marrë përsëritshëm në pyetje familjen Braçe, herë nga OPGJ, herë nga specialistët e Krimeve të Rënda. Ende nuk është marrë në pyetje një person i katërt që ndodhej me ta atë natë, ndonëse dyshohet se mund të hedhë dritë mbi ngjarjen.

Trupi i viktimës është dërguar në Tiranë për ekspertizë mjeko-ligjore. Do të përcaktohet nëse plaga në kofshë është shkaktuar nga armë zjarri apo nga ndonjë mjet tjetër. Ky detaj është kyç për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me vrasje, aksident gjatë gjahut apo ngjarje të simuluar.

Lini një Përgjigje