Gjykata e Apelit ka lënë në burg Esmerald Ballën, të riun që vrau të atin në Shënavlash të Durrësit dhe më pas e hodhi në pus. Apeli e cilësoi të drejtë masën e sigurisë të vendosur nga Shkalla e parë.
Sa i takon dinaikës së ngjarjes, më datë 15 gusht, djali i viktimës, ka shkuar në polici dhe ka denoncuar zhdukjen e të atit. Ai tha se i ati ishte larguar nga ora 09:00 e 13 gushtit, me një grua të panjohur.
Gjatë inskenimit ka treguar sikur Enver Balla e kishte marrë më 15 Gusht, me një numër telefoni të fshehur dhe ndër të tjera i ka thënë se “paratë që kanë qenë në kasafortë bashkë me kasafortën i ka marrë, pasi dëshironte të jetonte më vete tani e tutje”.
Pas bisedës, Esmeraldi gjoja ka verifikuar në banesë dhe kasaforta nuk ishte te dollapi ku ishte lënë.
Pastaj ka dërguar mesazh te telefoni i të vëllait, Andi Balla, djali tjetër i viktimës, nga një profil i rremë në rrjetin social "Instagram" me emrin Entila. Në të shkruhet: “Familjarët të mos e kërkonin Enverin, pasi ishte larguar me pushime dhe me Enverin priste një fëmijë”.
Kasaforta u gjet më pas në rrugë, në afërsi të portës së hyrjes së stallave të bagëtive, në njëfarë distancë nga banesa. Kasaforta ishte e dëmtuar e prerë me mjet prerës në anën e pasme, dhe në të nuk kishte para.
Por duket se gjithçka u çmontua më pas. Enver Balla kishte lidhje intime me një shtetase të quajtur Lindita. Kjo e fundit ka rrëfyer për hetuesit dinamikën, duke thënë se një ditë para humbjes (12 Gusht), kishte qenë në prani të viktimës bashkë me vajzën dhe dhëndrin e saj, duke darkuar së bashku.
Të nesërmen Lindita ka pohuar se është interesuar për Enverin, pasi nuk po lidheshin dot me të dhe ka telefonuar djalin e tij, Esmeraldin, ku i ka kërkuar informacion se ku mund të jetë.
“Por dy djemtë e Enverit kanë shprehur akuza se mos babai i tyre ishte fshehur me shtetasen Lindita dhe bashkë me paratë që kishte marrë në kasafortë. Që në momentin që djali i Enverit i ka sharë në telefon duke i akuzuar që ata kishin dorë në zhdukjen e babait të tyre, ata nuk janë interesuar më për Enverin”, theksohet në dosje, referuar dëshmisë së kësaj shtetaseje.
Kurse vetë Esmerald Balla, pas pranimit të krimit, ka rrëfyer dinamikën e krimit teksa u dorëzua para hetuesve dhe pasi dështoi në përpjekjen e inskenimit.
Ai ka thënë se më 13 Gusht kanë qenë rrugës për në fermën e tyre të quajtur “Ferma Balla”, pasi do shkonin te delet dhe kur arritën afër stallave, i ati sipas tij ka filluar ta fyejë për faktin që tek kopeja e deleve nuk kishte bari dhe delet ishin vetëm.
“Pasi kanë zbritur nga makina dhe siç ishte i acaruar pas fyerjeve që vazhdonte t’i bënte babai, e ka pyetur nëse e kishte parë kasafortën. I ka thënë që nuk e ka parë dhe se kasaforta ishte te dhoma”, vijon dëshmia. Por më tej, sipas Esmeraldit, “babai më tha se kasafortën e kishte marrë dhe e kishte hapur tek Lida (Lindita, gruaja me të cilën kishte lidhje), i ka marrë lekët dhe kasafortën e ka lënë te kodra”.
Bashkë me të u arrestua edhe Edison Brahaj, shok i Esmeraldit, i cili ndihmoi në fshehjen e trupit të viktimës. Edhe ai u la në burg nga Apeli.
Lini një Përgjigje