TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Dhjetor 2025, 09:40

Vrasja e pronarit grek/ Nipi nxitës i krimit, biznesmeni bashkëpunëtor dhe ‘pista miliona euroshe’ që po trondit hetimet

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e pronarit grek/ Nipi nxitës i krimit, biznesmeni
Viktima, pronari grek

Hetimet për vrasjen e dyfishtë në Finikounda po vijojnë me intensitet, teksa dalin në dritë detaje të reja mbi motivet, rolet e të dyshuarve dhe çështjen e trashëgimisë.

Pas arrestimit të nipit të viktimës 68-vjeçare dhe një biznesmeni nga Athina, autoritetet presin ndalimin e një personi të tretë që ndodhet në Gjermani. Ky person dyshohet se ka transportuar 22-vjeçarin që dyshohet si autori kryesor i krimit dhe pritet të arrestohet sapo të ekzekutohet urdhër-arresti ndërkombëtar.

Hetimet e reja lidhen me pasurinë e viktimës, e cila përfshin prona dhe toka me vlerë disa miliona euro. Sipas ligjit, trashëgimia i kalon motrës së 68-vjeçarit, pavarësisht pretendimeve të nipit se kishte qenë pranë xhaxhait deri në momentet e fundit. Edhe nëse ai shpallet fajtor për nxitje të vrasjes, kjo nuk ndryshon rrjedhën ligjore të trashëgimisë.

Nipi 33-vjeçar, i cili fillimisht u paraqit si dëshmitar, u arrestua pasi analizat e komunikimeve telefonike dhe kompjuterike kundërshtonin deklarimet e tij të para. Hetuesja arriti të ndërtojë një tablo të qartë të përfshirjes së tij si nxitës i sulmit, ndërsa ai dyshohet se ka pasur rol edhe në një atentat të mëparshëm ndaj xhaxhait në shtator.

Një element vendimtar për hetimin u bë telefonata e parë e 33-vjeçarit pas vrasjes, e cila nuk iu drejtua policisë, por biznesmenit që sot është i arrestuar. Në dëshmitë e mëvonshme, i riu ka folur për presion mediatik, thashetheme rreth “30 milionë eurove”, grabitje të përsëritura në banesën e tij dhe një marrëdhënie të ndërlikuar me viktimën, të cilën e konsideronte figurë atësore.

Ndërkohë, dy të rinjtë e dyshuar si ekzekutorë mbeten në paraburgim, ndërsa bashkëpunëtori i tretë pritet të arrestohet nga autoritetet gjermane. Hetimet vazhdojnë dhe autoritetet paralajmërojnë zhvillime të reja, pasi rasti i Finikoundës vijon të mbetet i mbushur me enigma dhe kontradikta që kërkojnë zbardhje të plotë.

vrasja e pronarit grek pista miliona euroshe hetime

Lini një Përgjigje