
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Sokol Mjacajn dhe 12 zyrtarë të asaj kohe të burgut të Peqinit, lidhur me krimin që ndodhi në këtë institucion në 15 Dhjetor të vitit 2023.
Gjatë incidentit atë mesditë i dënuari, Arben Lleshi, humbi jetën, ndërsa një tjetër, Indrit Shaqja, mbeti i plagosur. Atëherë u arrestuan, autori i dyshuar i krimit Sokol Mjacaj si edhe drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, i emëruar në këtë detyrë në nëntor të vitit 2023, Qani Muça shefi i regjimit të godinës “41 biss”, Nikolin Gjonpalaj ish-shefi i policisë së burgut të Peqinit, Vilson Shima shef i regjimit të godinës B, Arben Dulellari, Specialist informacioni, salla operative IEVP Peqin, Fatos Pire, polic shërbimi, përgjegjës sektori kati i parë, godina B, Ilir Balla, punonjës shërbimi godina B, Florenc Mile, polic shërbimi tek godina B, Genci Muça, shërbim në kolonë, godina B, Indrit Dubali, punonjës roli bazë, godina B, Klement Haka, punonjës i rolit bazë, godina B dhe Erjon Çela, polic shërbimi, godina B në IEDP, Peqin.
Hetimet kanë zbuluar se Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dy turistëve çekë, kreu vrasjen e Lleshit dhe plagosi një tjetër.
Dyshohet se arma e përdorur prej tij në këtë krim ishte futur në burg disa javë përpara ngjarjes. Mjacaj e pranoi që kishte një konflikt me Lleshin, por prokuroria e konsideron këtë vetëm një alibi, duke e parë si një vrasje me pagesë.
Dyshohet gjithashtu se disa zyrtarë të burgut mund të kenë bashkëpunuar me Mjacajn për të futur armën në burg dhe për të mbajtur informacion të fshehtë lidhur me ngjarjen. 12 zyrtarët e burgut, përfshirë drejtorin Kamber Hoxha dhe disa shefa të regjimeve të ndryshme, akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe për mosrealizimin e detyrës së sigurisë, që mund të kenë kontribuar në mundësimin e kryerjes së krimit brenda burgut të Peqinit.
Një tjetër moment i rëndësishëm gjatë hetimit të kësaj ngjarje mjaft të rëndë ka qenë refuzimi i Mjacajt për të bashkëpunuar me drejtësinë gjë që ka shtuar dyshimet për një vrasje të kryer me pagesë. Për krimin që ndodhi në burg, Mjacaj është akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, “mbajtjen dhe prodhimin e armëve”, dhe “futjen e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Kjo ngjarje shkaktoi një reagim të madh në opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe kontrollin në burgjet shqiptare.
Lini një Përgjigje