
Policia e Shtetit vijon paralelisht në të gjithë vendin operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Në një njoftim për mediat këtë të martë, policia thotë se në Shkodër, Mirditë dhe në Tropojë janë asgjësuar në total 4165 bimë narkotike.
-Në qarkun Shkodër, gjatë fazës së 9-të të operacionit policor të koduar “Alpe të pastra” u asgjësuan 3295 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në disa fshatra, në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Pukë.
-Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së 30-të të operacionit policor të koduar “Imazhi” u asgjësuan 513 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në një fshat në Mirditë.
-Në qarkun Kukës, gjatë fazës së 5-të të operacionit policor të koduar “Bjeshkët e Nemuna” u asgjësuan 357 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në terren malor, në Lekbibaj, Tropojë. Procedohet penalisht përgjegjësi i shërbimit pyjor të kësaj zone, shtetasi Gj. P., për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.
“Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, duke përdorur edhe dronë, për kontrollin e zonave malore. Si rezultat i kontrolleve, në territoret e qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Kukës, janë gjetur dhe asgjësuar në total 4165 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa“, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje