
Policia ka goditur një rast të kontrabandimit të mallrave për konsum dhe ka vënë në pranga tre persona.
Sipas policisë, në pranga ka rënë një 63-vjeçar Niko Gazeli i cili transportonte me kamionë dhe trajlera sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara, ndërsa administratori i biznesit, Arjan Murtaj për llogari të cilit transportoheshin mallrat është shpallur në kërkim.
Gjithashtu, janë arrestuar doganierja e Degës Doganore në Qafë Botë, Anila Adhami dhe përgjegjësi i turnit, Andon Velo për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndërkohë, nisi procedimi penal për shtetasin 43 vjeç, i identifikuar si Erion Ademi me detyrë agjent në Degën Doganore Qafë Botë.
"Transportonte me kamionë dhe trajlera sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara, arrestohet 63-vjeçari.
Policia identifikon administratorin e biznesit për llogari të të cilit transportoheshin mallrat dhe vijon punën për kapjen e tij.
Në pranga dhe 2 punonjës të Degës Doganore Qafë Botë, mbi dyshime për shpërdorim të detyrave. Në hetim për të njëjtën vepër penale, një punonjës i tretë i kësaj dege.
Në vijim të punës për goditjen e rasteve të kontrabandës së mallrave, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast paligjshmërie në këtë fushë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Tranzit 4”, gjatë të cilit:
– U vunë në pranga shtetasi N. G., 63 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasja A. A., 54 vjeçe, me detyrë doganiere në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe shtetasi A. V., 49 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
– U shpall në kërkim shtetasi A. M., 52 vjeç, administrator biznesi, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
– U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin E. A., 43 vjeç, me detyrë agjent në Degën Doganore Qafë Botë.
Gjatë operacionit, shtetasi N. G. u kap në PKK Qafë Botë, duke futur në Shqipëri, me mjete të rënda (kamionë dhe trajlera), sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara. Ndërkaq, 52-vjeçari u shpall në kërkim, pasi dyshohet se këto mallra transportoheshin për llogari të biznesit që ai administronte.
Arrestimi i shtetasve A. A. dhe A. V., si dhe procedimi i 43-vjeçarit u bënë pasi dyshohet se, duke shpërdoruar detyrat, kanë lejuar kryerjen e këtij aktiviteti kriminal.
Punohet për kapjen e shtetasit A. M., dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje