Një tjetër rast mashtrimi, ku dyshohet se është i përfshirë Florian Gjergji, është denoncuar në Durrës. Sipas të dhënave paraprake, i riu nga Shkodra, i cili dyshohet se ndodhet në Gjermani, ka arritur t’i marrë një kambisti shumën prej 60 mijë eurosh përmes mashtrimit.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Gjergji i është prezantuar kambistit përmes mesazheve si kushëriri i një biznesmeni të njohur, me të cilin ky i fundit kishte marrëdhënie miqësore. Duke shfrytëzuar këtë raport besimi, ai i ka kërkuar shumën prej 60 mijë eurosh dhe e ka udhëzuar që paratë t’ia dorëzonte një personi pranë një qendre tregtare.
Pas marrjes së shumës, personi që tërhoqi paratë është nisur drejt Elbasanit, ku është takuar me një tjetër individ që kishte mbërritur me taksi nga një fshat i zonës. Sipas hetimeve paraprake, paratë i janë dorëzuar këtij të fundit, i cili më pas është larguar.
Policia ka mundur të identifikojë dhe të ndalojë dy personat e përfshirë në këtë skemë në Elbasan. Gjatë dëshmive të tyre, ata kanë deklaruar se ishin kontaktuar dhe orientuar nga Florian Gjergji.
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të kambistit. Pasi kishte dorëzuar shumën e kërkuar, ai kontaktoi mikun e tij biznesmen për ta njoftuar se kishte zbatuar porosinë. Në atë moment mësoi se biznesmeni nuk kishte kërkuar asnjë shumë parash, duke kuptuar se ishte bërë viktimë e një mashtrimi.
Lini një Përgjigje