Valter Bami, vëllai i Durim Bamit të njohur për drejtësinë, u ndalua dje nga policia e Elbasanit gjatë një kontrolli rutinë në qytet teksa ishte i vetëm në automjet.
Fillimisht ndalimi lidhej me dyshimin se ai kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Menjëherë pas ndalimit, Bami u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit për verifikime.
Por pas kontrollit rezultoi se Valter Bami e kishte shlyer tashmë masën e arrestit shtëpiak dhe nuk ishte më nën këtë masë sigurie. Për këtë arsye, ai është lënë i lirë.
Kush është Valter Bami, i njohur ndryshe edhe si i “forti i Niklës”?
Bami, i shoqëruar në polici në lidhje me atentatin ndaj banesës së Gentian Bejtjës, ku iu vra kunati dhe u plagosën dy djemtë e mitur, dyshohej nga prokuroria e Tiranës si i përfshirë në masakrën e Larushkut, ku u vra Ramazan Sino, 28-vjeç, dhe u plagosën dy nipërit e tij.
Bejtja ndodhej në makinë me ta, por pak minuta para se të mbërrinte në vilën e tij në Larushk, ai zbriti nga makina duke i shpëtuar atentatit. Valter Bami pretendoi se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kishte qenë në banesën e tij kur ndodhi krimi.
Bami ka pretenduar në takimin me avokatin e tij Ilir Murati se gjurmët e barutit në duart e tij ishin për shkak se ai bën qitje rregullisht me një armë sportive që e ka në banese me leje.
Bami ka deklaruar madje se Ramazan Sinon e kishte të afërm dhe ndjen keqardhje për ngjarjen e ndodhur.
“Ndjej keqardhje për humbjen e jetës së Ramazan Sinos që e kam të kushëri pasi nëna e Ramazanit dhe nëna ime janë vajza tezesh. Do ta dorëzoj lejen e armës që zotëroj dhe do kërkoj lirimin”, mësohet të ketë thënë i akuzuari.
Valter Bami dhe Gentjan Bejtja janë në përplasje të forta mes tyre vitet e fundit pasi dy vëllezërit Bami kanë dyshime të forta se Bejtja mund të flasë dhe dëshmojë për shumë krime të tmerrshme që kanë ndodhur në zonën e Krujës.
Lini një Përgjigje