
Zbardhen detaje nga arrestimi i 7 shqiptarëve dhe një shtetasi spanjoll, pasi u kapën me 1.1 ton kokainë në gomone.
Mediat spanjolle raportojnë se në momentin që u arrestuan, ekuipazhi kishte kaluar 19 ditë në det të hapur, në kushte aspak të mira.
Mësohet se në mënyrë që të përballonin detin dhe të ruanin ngarkesë, trafikantët kishin mundësinë të flinin vetëm një orë gjumë në ditë. Ndërsa në momentin e ndalimit atyre u është ofruar edhe ndihmë mjekësore, për të cilën kishin nevojë.
”La Voz de Galicia” raporton se skafi në të cilin lundronin shqiptarët ishte 12 metra i gjatë, pa kabinë dhe hapësira e përcaktuar për ekuipazhin mbushej vazhdimisht me ujë. Brenda saj u gjetën furnizime, shishe uji të pijshëm dhe karburanti.
Ata u prangosën në zonën e Rego do Alcalde, në të njëjtën zonë ku një tjetër gomone me karakteristika të ngjashme u shfaq në prag të Krishtlindjes.
Në kuadër të “Operacioni Barona”, policia sekuestroi një pistoletë, automjete dhe pajisje komunikimi.
Që nga nëntori i vitit të kaluar, kjo organizatë shqiptare me qendër në rajonin e Salnés ka qenë nën vëzhgim. Në mesin e muajit dhjetor u konstatua gomonia e shpejtë po nisej për në det të hapur me katër persona në bord dhe në orët e para të së mërkurës, oficerët e policisë i kapën në flagrancë në momentin kur po zbarkonin mallin. Policia spanjolle arrestoi edhe ata të cilët ishin përgatitur për të ngarkuar dhe transportuar kokainën.
Lini një Përgjigje