TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Nëntor 2024, 15:49

U kapën me 10 pistoleta "Glock" dhe fishekë në Sarandë, arrestohet personi i tretë

Shkruar nga Pamfleti

U kapën me 10 pistoleta "Glock" dhe fishekë në

Arrestohet personi i tretë, i përfshirë në transportin e 10 pistoletave të kapura 2 muaj më parë në aksin Kardhiq – Delvinë.

Policia sekuestroi gjatë një operacioni “blic” 10 pistoleta të markës "Glock" si dhe 150 fishekë. Sipas policisë, armët mund të përdoreshin në ngjarje të rënda kriminale.

Prokuroria e Sarandës ka arritur të identifikojë një person të tretë pas 2 muaj hetime, ndërsa ka lëshuar një urdhër arresti duke kërkuar në Gjykatë caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për 25-vjeçarin nga Këlcyra Fabian K. Ky i fundit është arritur të kapet nga policia e Përmetit të enjten e kaluar dhe është sjellë në Komisariatin e Sarandës për t’u vënë në dispozicion të hetimit.

Burime pranë grupit hetimor tregohen të rezervuara për rastin, ndërkohë që paraditen e së shtunën, 25-vjeçari  është njohur në Gjykatën e Sarandës me masën e sigurisë “Arrest në burg” të caktuar në mungesë ndaj tij. Pas marrjes në pyetje, Gjyqtari ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” ndërsa Fabian K. nuk ka pranuar të japë shpjegime në seancën për vlerësimin e masës së sigurimit.

Në 13 shtator, policia e Sarandës, në aksin Kardhiq-Delvinë, ndaloi automjetin tip “Nissan” me targa AA827SV, brenda së cilës gjeti dhe sekuestroi një qese plastmasi ku ndodheshin 10 armë zjarri pistoletë tip “Glock”. Brenda qeses u gjetën dhe sekuestruan gjithashtu edhe tre kuti kartoni me qese plastike të tejdukshme, me mbishkrimet “Hondgun 38050 centerfire pistol cartidges”, ku në brendësi të tyre kishte 150 fishekë me kapsollë të pa goditur, me markirovka të njëjta PPU 380 AUTO. Në mjet u sekuestruan edhe 250 euro.

Në prangat e policisë ranë 23-vjeçari Klaudio Osmani, punonjës në zjarrfikësen e Këlcyrës dhe 24-vjecari Mehmet Canaj, të dy banues në Këlcyrë. Pas arrestimit të tyre, policia tha se destinacion i pistoletave ishte Saranda, por pa deklaruar nëse do shiteshin në qytet apo do trafikoheshin drejt Greqisë.

Lini një Përgjigje