
Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është liruar nga qelia. Ai u arrestua në Itali për trafik droge, por duket se ka marrë pafajësinë.
Kajmaku një vit më parë u kap me 20 kg kokainë. Lënda narkotike ishte fshehur në disa vazo me lule dhe bashkë me të u arrestua dhe nipi i tij.
Kajmaku ishte klient i vjetër i një fidanishteje në Itali, në zonën e Grottamare. Ai bashkë me nipin kishin blerë disa fidanë lulesh të vegjël, por bënë ndryshimin e vazove. Edhe pse ishin lule të vogla, ata i vendosën në vazo shumë më të mëdha. Kjo ngjalli dyshime te pronari italian i fidanishtes, që vuri në dijeni policinë. Brenda vazove ndodhej lënda narkotike.
Sipas informacioneve, grupi ku bënte pjesë Kajmaku ishte zbuluar nga Guardia Di Finaza para 8 muajsh dhe deri më tani ai ishte në monitorim total. Ndërkohë 2 muaj më parë, anëtarët e grupit monitoroheshin 24 orë, pasi ishin instaluar kamera dhe përgjues në zonat që ata frekuentonin. Sipas të dhënave, Kajmaku ishte anëtar i ri i grupit. Kur është ndaluar nga policia ai është prezantuar i Agim Kajmaku, i datëlindjes 6 korrik 1971.
Agim Kajmaku u zgjodh kryetar i bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershor 2019 por pas denoncimit nga PD se kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit nisën edhe hetimet nga prokuroria, e cila i dha të drejtë opozitës. Kajmaku kishte fshehur një dënim në Greqi ku figuronte me emër tjetër. Më 1 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta shkarkojë nga detyra Kajmakun, në mënyrë unanime me 5 vota pro.
Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.
Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.
Ai u procedua për falsifikim formulari dhe arriti të arratisej për disa muaj, derisa u prangos në një spital privat. Por më pas u lirua.
Lini një Përgjigje