
Polica e Beratit ka reaguar në lidhje me një denoncim të bërë publik në një emision ku një OPGJ i merr një shumë parash një qytetari pasi e shantazhon me hetimin e një ngjarjeje që kërkon ta mbyllë.
Uniformat blu bëjnë me dije se Ledion Ferzaj, është pezulluar menjëherë nga detyra. Sakaq, raportohet gjithashtu se organet përkatëse kanë nisur hetimet penale në lidhje me këtë rast.
Njoftimi i policisë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e sotme, në emisionin investigativ "Stop", ku në pamje filmike shfaqet specialisti për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat, Nënkomisar L. F., duke i marrë një shumë parash një shtetasi, ju sqarojmë se:
Menjëherë pas publikimit të pamjeve, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra, të specialistit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat, shtetasit L. F.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësit të Policisë, për shkelje të rëndë, ndërsa AMP-ja ka nisur hetimin penal për këtë rast.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën të punonjësve të Policisë, dhe iu garanton reagim të menjëhershëm, të paanshëm dhe konform ligjit.
Lini një Përgjigje