TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Janar 2026, 21:29

U braktisën në banesë nga e ëma, policia merr në mbrojtje 3 të miturit dhe procedon 33-vjeçaren

Shkruar nga Pamfleti
U braktisën në banesë nga e ëma, policia merr në
Fëmijët e mitur

Tre të mitur u gjetën sot të braktisur në banesën e tyre në Durrës. Policia njofton se ka qenë ish-vjehrra e nënës së fëmijëve, e cila ka njoftuar në Polici se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte.

Nëna 33-vjeçare, e divorcuar, është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime dhe është vënë nën hetim për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Sipas policisë, bëhet me dije se shkaku i braktisjes së 3 fëmijëve nga nëna e tyre 33-vjeçare është një konflikt mes kësaj të fundit dhe gjyshes së të miturve nga ana e babait, e cila ka kërkuar t'i marrë në kujdestari.

Mësohet se fëmijët kishin rreth tre ditë pa ushqim dhe prej një muaji nuk kishin ndjekur shkollën. Ata janë gjetur të mbuluar me batanije për shkak të të ftohtit, ndërsa banesa ishte në gjendje të rëndë rrëmuje, me rroba të shpërndara në dysheme.

Fëmijët i janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe janë konstatuar me probleme shëndetësore të lidhura me gjendjen e braktisjes. Tre fëmijët, aktualisht ndodhen nën kujdesin e Qendrës së Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.

Bëhet e ditur se pallati ku ndodhej banesa ka qenë i përmbytur gjatë reshjeve të ditëve të fundit dhe për tre ditë fëmijët kanë qenë të izoluar për shkak të ujit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti  i publikuar dhe në rrjete sociale.

Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi sot policia.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes ka njoftuar se 3 fëmijët e gjetur të braksur sot në apartamentin e tyre në Durrës, bashkë me të ëmën, kanë mbërritur në Spitalin Rajonal Durrës, ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve dhe se iu është siguruar ushqim e veshmbathja e nevojshme.

"Pas sinjalizimit nga media ditën e sotme, mbi braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre, Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit mori deklaratat përkatëse nga nëna, fëmijët dhe gjyshja e tyre.

Pak minuta më parë, tre fëmijët kanë mbërritur në Spitalin Rajonal Durrës,  ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe  veshmbathja e nevojshme.

Në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve", thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Lini një Përgjigje