
Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacion me qëllim paraqitjen e kërkesës për ekstradim nga Turqia në Shqipëri të shtetasit Dritan Rexhepi.
“Ky shtetas, është shpallur në kërkim ndërkombëtar në janar 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kuadër të ekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ka shpallur Dritan Rexhepajn fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer në bashkëpunim, “vrasjes me dashje”, të kryer në bashkëpunim, dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 79/c-25, 76-25 dhe 278/2 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Kujtojmë se 43-vjeçari, i cilësuar si koka e kartelit të drogës, u arrestua në Stamboll me një pasaportë kolumbiane, të regjistruar me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
– Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.
– Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Gjithashtu, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë
Mediat në mbarë botën kanë shkruar për Dritan Rexhepin. Ndërsa flasin për Pablo Escobar, në tabloidet e gazetave më të njohura nuk mungon dhe emri i shqiptarit të përfshirë në krimin e organizuar.
“Kompania Bello njihet si një rrjet organizatash kriminale të drejtuar nga ‘kapo’ Dritan Rexhepi, një shqiptar i cili u arrestua në vitin 2020 në bastisje të koordinuara në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Prokurorët italianë thanë se Rexhepi kishte akses në ‘sasi të pafundme kokaine’ ndërsa Europol tha se bastisja ishte ‘më e madhja e këtij lloji ndonjëherë kundër krimit të organizuar shqipfolës’. Më afër vendit, fitimet fitimprurëse të kokainës mendohet se kanë nxitur një luftë të egër bandash në Irlandë që ka lënë të paktën 18 të vdekur që nga shpërthimi i saj në 2015 dhe çoi në dhjetëra arrestime”, shkruan Daily Mail.
Ndërkaq, në vitin 2011 mediat spanjolle kanë shkruar për “mjeshtrin e arratisjeve nga burgu”. Rexhepi u arratis në vitin 2007 nga policia e Durrësit pasi këta të fundit e morën për t’i bërë një foto e për ta shpërndarë në media. Ndërkohë një vit më pas kapo banda mbahet mend për një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Pak më vonë një tjetër arrati u regjistrua në Belgjikë.
Ai doli nga Kakavija me pasaportën e falsifikuar me gjeneralitetet Lulzim Murataj –pasaportë me të cilën u arrestua në Ekuador- dhe prej datës 16 nëntor 2013, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në Shqipëri.
Lini një Përgjigje