TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Nëntor 2023, 13:20

Arrestimi i bujshëm i 'mbretit shqiptar' të kokainës, Shqipëria në garë me Italinë për Dritan Rexhepin

Shkruar nga Pamfleti
Arrestimi i bujshëm i 'mbretit shqiptar' të kokainës,
Dritan Rexhepi

Autoritetet Shqiptare kërkojnë të vënë para drejtësisë Dritan Rexhepin, baronin e drogës të arrestuar pak ditë më parë në Turqi.

Ulsi Manja deklaroi se Ministria e Drejtësisë kërkon ta përfundojë këtë proces përpara autoriteteve italiane, shtet në të cilën Rexhepi është gjithashtu në kërkim.

“Është një marrëdhënie që ne e kemi me autoritetet turke të drejtësisë. Ministria e Drejtësisë në rastin konkret bën ndërmjetësin për ta marrë Dritan Rexhepin’, u shpreh Manja.

Policia italiane ka dalë me një reagim zyrtar mbi arrestimin e baronit të botës së krimit dhe drogës Dritan Rexhepit të arrestuar me 10 nëntor.

Për Italinë, Rexhepi njihet edhe si “Pablo Escobari” shqiptar.

Në një komunikatë të policisë italiane, mbi arrestimin e Rexhepit thuhet se të premten i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që kërkesën për arrest provizor t'ia përcjellë autoriteteve kompetente turke, të shoqëruar me dokumentacionin e ekstradimit në rrugët e zakonshme diplomatike.

Kush është Dritan Rexhepi?

Dritan Rexhepi, shqiptari që dyshohet se është ‘koka’ e rrjetit kombëtar të trafikimit të kokainës në Evropë u arrestua sot në Stamboll.

Shqiptari me i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve. Emri i tij lidhet edhe me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz në janar të 2020, pasi vëllai i tij Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine, dhe që i përkiste pikërisht Dritan Rexhepit.

Rexhepi është regjistruar me emrat Ioannis Dionysopoulos (emër grek) dhe me Lulzim Murataj (emër shqiptar) e Gramoz Rexhepi (emër shqiptar). Për shqiptarin ka tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpol, pasi ai ka tre arratisje të regjistruara: në vitin 2006, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit.

Dritan Rexhepi rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim në Shqipëri, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Por pavarësisht këtij dënimi, është arritur të mësohet se në vitin 2013, ai ka hyrë në territorin shqiptar me emrin Lulzim Murataj e nuk është pikasur nga autoritetet.

Fillimisht, ai është arrestuar në 2007 në ambientet e “Hotel Tirana” së bashku me Nadien Zeneli Pas arrestimit është transferuar në Durrës, pasi oficerët e Drejtorisë së Policisë Durrës kishin kryer të gjithë operacionin për zbulimin dhe prangosjen e tij. Këtu ndodhi edhe arratisja e tij e parë. Rexhepi në fakt ka mundur tu ikë nga ambientet e komisariatit të policisë Durrës, pasi oficeri Albert Strati dhe zëdhënësja e policisë së Durrësit, e kishin nxjerrë nga dhoma e shoqërimit, për t’i bërë një foto, me qëllim publikimin e lajmit të arrestimit të tij, në shtypin e kohës. Ai u largua në momentin që sapo u fut në qeli pas marrjes në pyetje, pasi dera e qelisë ishte lënë hapur. Në vetëm pak sekonda, Rexhepi ndodhej në rrugë i lirë.

Rexhepi ka mundur që të arratiset edhe nga burgu i sigurisë së lartë i Pavias, të Italisë, së bashku me dy shqiptarë të tjerë. Në korrik të 2011-s, ai u arrestua për grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelona, por arriti që të arratisej.

Si nisi karriera kriminale

Në vitin 1999, kur ishte ende adoleshent (19 vjeç), ai qëlloi me breshëri Kallashnikovi policët në një lokal. Dyshohet se ai ishte paguar për atentatin dhe plumbat e tij vranë edhe dikë tjetër. Policia e arrestoi Rexhepin vetëm në janar 2006 në Tiranë, në një prej hoteleve më luksoze të kryeqytetit me një armë tip pistoletë pa leje. Rexhepi u transferua në ambientet e Drejtorisë së Policisë Durrës, që kishte në juridiksion zonën e Krujës. Po atë mbrëmje, Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje pasi hapi me gisht një bravë me defekt dhe i tha një roje që policia kishte mbaruar punë me të. Gjykata më vonë e dënoi në mungesë për vrasje. Ky ishte i pari nga tri arratisjet nga burgu pasi policia evropiane e ndoqi në të gjithë kontinentin për trafik droge dhe akuza të tjera.

“Mjeshtri” i arratisjeve nga burgu

Rexhepi do të arrestohej në vitin 2008 në Holandë për llogari të drejtësisë italiane në lidhje me një dënim për trafik droge. Në vitin 2011 ai arratiset edhe nga burgu i Voghera-s në Itali pasi sharroi hekurat e qelisë dhe u arratis.
Pas disa muajsh u arrestua në Spanjë si anëtar i një bande të dyshuar për grabitjen e një banke në Barcelonë. Ai nuk u mbajt shumë në qeli atje, por autoritete spanjolle vendosën ta ekstradojnë në Belgjikë ku kërkohej për disa krime të rënda. Rexhepi do të arratisej sërish nga burgu i Antverpit duke u ngjitur mbi një mur.
Herën tjetër që policia e kapi ai ishte në Ekuador në qershor 2014, në posedim të më shumë se 272 kg kokainë, sipas Interpolit, organizatës ndërkombëtare të policisë. Edhe pse i burgosur, Rexhepi e drejtonte trafikun e kokainës njësoj sikur të ishte në liri nga qelia, përmes një telefoni. Ishte aleat me një trafikant droge nga Ekuadori me lidhje me kartele të fuqishme në Kolumbi dhe Meksikë. Kokaina dërgohej përtej Atlantikut me anije me kontejnerë, kryesisht në portet e Holandës.

shqipëria dritan rexhepi

Lini një Përgjigje