
Dy të rinjtë ekzekutohen nga dy vëllezër pas një sherri mes tyre...
Qyteti i Shkodrës është tronditur mbrëmjen e sotme. Pas ngjarjes te "Komuna e Parisit" në Tiranë, ku një efektiv plagosi një 45-vjeçar, të shtëna ka pasur pak më parë në Velipojë.
Mësohet se dy persona kanë mbetur fillimisht të plagosur, por kanë ndërruar jetë pasi kanë shkuar në spital. Ngjarja ka ndodhur pranë stacionit të autobusëve, teksa viktimat u idetifikuan si Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 teksa ata u qëlluan me armë zjarri nga dy vëllezër, të idetifikuar si Eduard dhe Gëzim Frroku. Ngjarja dyshohet për motive të dobëta.
Dy personat e qëlluar me armë u dërguan menjëherë në spital, por nuk mundën t’iu mbijetonin plagëve të marra dhe ndërruan jetë. Është ngritur një grupi i posaçëm dhe po vijon puna për dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe për kapjen e autorëve.
"Më datë 19.08.2024, rreth orës 21:00, në Velipojë, dyshohet se për motive të dobëta, dy vëllezërit E.F., dhe G. F., dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit A. H., dhe E. I, të cilët u transportuaan menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodër por si pasojë e plagëve të marra humbën jetën në spital.
Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, si grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Njëkohësisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje", njofton policia.
Ka dyshime se mes vëllezërve dhe viktimave ka pasur një konflikt 3 javë më parë. Ata kanë qenë sot në një lokal në Velipojë ku ndodhi dhe ngjarja e rëndë.
Autorët janë pronarë të një hoteli dhe Ersild Ishmi ka punuar kamarier aty. Por ka pasur sherr me kuzhinierin dhe madje e kërcënoi me pistoletë atë. Duket se ky është dhe sebepi i sherrit sot. Kjo e konfirmuar dhe nga drejtori i policisë Shkodër, Edmon Sulaj.
“Jemi njoftuar që rreth orës 21:00 të mbrëmjes në qytetin e Velipojës ka ndodhur një konflikt me armë zjarri. Si pasojë janë plagosur dhe më pas kanë gjetur vdekjen në spital shtetasit Ersild Ishmi, 33 vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç. Mendohet se shkak është një debat mes dy viktimave dhe pronarëve të hotel “Lakaj”, Eduard dhe Gëzim Frroku. Shkak ka qenë një debat i ndodhur në datë 28 qershor të këtij viti mes kamarierit dhe kuzhinierit të hotelit”, tha ai.
Lini një Përgjigje