
Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e sotme në qytetin e Vlorës, në zonën e Transballkanikes, pasi një ndjekjeje nga policia që ka përfunduar me aksident zinxhir dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Një automjet tip ML, me ngjyrë të zezë, nuk i është bindur urdhrit të ndalimit në një postbllok policie, duke tentuar të largohet me shpejtësi. Në përpjekje për t’iu shmangur ndalimit, mjeti ka përplasur disa automjete, përfshirë edhe një mjet të Policisë së Burgjeve, të cilin e ka nxjerrë nga rruga.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar gjithashtu dëmtime në një shtyllë ndriçimi, që është goditur nga mjeti në fjalë.
Aksidenti ka shkaktuar panik dhe ka bllokuar përkohësisht qarkullimin në zonën shumë të frekuentuar të Transballkanikes. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, ndërkohë që dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e drejtuesit të mjetit, që u përpoq t’i shmangej ndalimit duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe dëmtuar pronën publike dhe private.
Lini një Përgjigje