
Të tjera detaje zbardhen nga dosja e SPAK lidhur me vrasjen e Fatbardh Licit, për të cilin me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe vendim të GJKKO-së është arrestuar edhe Behar Bajri.
Në dosjen e SPAK ku Behar Bajri bashkë me Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin akuzohen si organizatorë dhe ekzekutorë të Fatbardh Licit me 10 gusht 2018 në Shkodër, thuhet ndër të tjera se është Behari ai që coi në konflikt Ibrahim Licin me Astmer Bilalin.
“Duke analizuar komunikimet e lartpërmendura, pamjet filmike dhe vendndodhjet e personave rezulton se personi nën hetim Behar Bajri Brajoviq i’a atribuon vrasjen e shtetasit Boran Bërçana, shtetasit Ibrahim Lici, si dhe përgatit konfliktin ndërmjet shtetasve Ibrahim Lici dhe Astmer Bilali.
Ai i kryen komunikimet me zë të lartë (viva voce) që personat e tjerë të pranishëm të dëgjojnë bisedat ku Ibrahimi referon faktin se Astmeri i ka vjedhur Arjanit, rikat (rosat).
Pasi krijohet konflikti, Safeti thërret Astmerin që të shkojë në Tiranë në orën nëntë të darkës. Pasi Astmeri vjen në Tiranë, atij i tregohet për faktin që Ibrahimi e ka quajtur atë hajdut dhe aty fillon debati ndërmjet tyre, i cili vazhdon deri në orët e vona të natës”, thuhet në dosje, raporton VNA.
Përplasja mes Licit e Bilalit u bë teksa organizonin vrasjen e Fatbardh Licit në shenjë hakmarrje ndaj ekzekutimit të mikut të tyre Boran Bërçana.
Në vrasjen e Fatbardh Licit, Astmer Bilali dhe Behar Bajri që e thërriste Ibrahimin kumbar kanë refuzuar të shkojnë për ngushëllim. Në vrasjen e Fatbardh Licit rezulton e përfshirë edhe E.A e dashura e Safet Bajrit e cila ndodhet tashmë në paraburgim.
Referuar publikimeve, njëri prej mjeteve “Mercedes Benz CL”, i bardhë, është drejtuar nga Eria, e cila sipas SPAK, konfirmohet përmes komunikimeve që ajo ka pasur me Astmer Bilalin. Me këtë makinë, Eria Aga ka udhëtuar nga Tiranë në drejtim të Shkodrës bashkë me Astmer Bilalin, te makina e së cilës Astmeri ka harruar xhupin, që dyshohet se është qitësi në vrasjen e Fatbadh Licit.
Astmer Bilali, në makinën e vjedhur “Benz 220” ngjyrë gri ka qenë pasagjer, ndërsa drejtohej nga Safet Bajri. Kjo makinë është filmuar në të gjithë itinerarin që ka vijuar që në ardhje para lokalit ku ishte ulur Fatbardh Lici, e deri kur është djegur. Bilali, i veshur me të zeza, për të kryer vrasjen doli nga makina, qëlloi disa herë dhe u larguan me shpejtësi.
Eria Ago është arrestuar më 26 shkurt nën akuzën përkrahje e autorit të krimit, ndërkohë që më 21 shkurt u arrestua edhe ish i dashuri i saj Safet Bajri. SPAK akuzon treshen Safet Bajri, Behar Bajri dhe Astmer Bilali se në bashkëpunim kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen me paramendim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Motivi i vrasjes së Licit sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi. Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.
Lini një Përgjigje