TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Tetor 2025, 10:24

Tentoi të grabiste argjendarinë në Shkodër, arrestohet në Tiranë 29-vjeçari; në pranga edhe dy miqtë e tij

Shkruar nga Pamfleti
Tentoi të grabiste argjendarinë në Shkodër, arrestohet
Tentoi të grabiste argjendarinë në Shkodër, arrestohet në Tiranë 29-vjeçari

Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 29-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë veprimtarish kriminale, mes të cilave tentativë për grabitje me armë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.

Në pranga përfundoi shtetasi Fatjon Bruçi, alias Fatjon Bruci, 29 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Shkodrës kishte caktuar më 30 shtator masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Vjedhje me armë”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”.

Operacioni policor, i koduar “Identikiti”, u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë.

Sipas Policisë, 29-vjeçari u ndalua në zonën e “5 Majit”, në Tiranë, ndërsa lëvizte me një automjet tip “Audi”, në shoqërinë e dy personave të tjerë. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjatë kontrollit në banesën që ai kishte marrë me qira në Tiranë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, dy maska silikoni, municion luftarak, tre pajisje për grirjen e lëndës narkotike, si dhe 550 dollarë amerikanë fals. Po ashtu, u sekuestruan dy automjete, një celular, dhe një shumë parash në lekë.

Gjykata e Shkodrës, më datë 30 shtator 2025, kishte caktuar për 29-vjeçarin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan gjithashtu shtetasit Xh. D., 21 vjeç, dhe E. E., 19 vjeç, të cilët ndodheshin në automjet me autorin në momentin e kapjes. Ata akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. 

Lini një Përgjigje