Ekzekutimi i Ardian Nikulajt 3 muaj më parë dyshohet se ka rihapur sagën e hakmarrjes në Lezhë.
Ditën e sotme ka ndodhur një atentat në fshatin Balldre dhe viktimë është Nikolin Marku Lekstakaj, 42 vjeç.
Fisi Lekstakaj u bë i njohur kur u vra Ardin Nikulaj. Personi që porositi vrasjen e tij ishte Edmond Haxhia, i afërm i fisit Lekstakaj, të cilët kishin konflikte me Nikulajn.
Mësohet se viktima ka qenë duke dalë nga ambientet e një marketi dhe është qëlluar nga një makinë në lëvizje. Personat dyshohet se po e prisnin viktimën dhe e kanë ekzekutuar në vend. 42-vjeçari sapo ishte kthyer nga jashtë dhe kishte hyrë në market për të blerë një pije freskuese.
“Më datë 19.07.2023, rreth orës 18:30, në Balldre, Lezhë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. M (L), rreth 42 vjeç. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli e vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njofton policia.
Të dhënat paraprake flasin se mund të kemi të bëjmë me hakmarrje. Përplasjet mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj janë të vjetra në Lezhë dhe duket se saga u hap më 19 prill. Ardian Nikulaj u ekzekutua në hotelin e tij nga disa shtetas britanikë të pajtuar nga Edmond Haxhia.
Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt, me të cilin Ardian Nikulaj ishte në konflikt prej vitesh.
Historia e përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Lezhë e ka zanafillën në vitin 1996, ku konflikti nisi në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra.
Vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën.
Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnzimit me karburant.
Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cilëve dhe vëllain e Ardian Nikulaj.
Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes. Ndërsa në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj, ngjarje këto të pazabardhura. Ndëkrohë më 19 prill u ekzekutua Ardian Nikulaj.
Lini një Përgjigje