
Në Belgjikë ka nisur gjyqi për vrasjen e Ardit Spahiut, ku hetuesit lexuan të hënën mijëra mesazhe të shkëmbyera përmes aplikacionit Sky Ecc mes nëntë të pandehurve.
Procesi kundër Franc Çopja, i njohur nga autoritete belge si Frac Gergely, dhe tetë të akuzuarve të tjerë nisi këtë vit, më 5 janar.
Nga mesazhet e lexuara në seancën e së hënës rezulton se Flobenc Meçja, i akuzuar si ekzekutor, e kishte ndjekur viktimën prej disa ditësh në Bruksel.
“Shpresoj ta mbarojmë këtë maskara deri në fund të muajit, sepse duhet të kthehem në Shqipëri se do lindë gruaja ime”, i shkruan më 19 nëntor 2020 Flobenc Meçja, Franc Çopjas.
Më 27 nëntor 2020, në orën 17:56 Flobenc Meçja dërgoi një seri emoji-sh: gjashtë gishtërinj të ngritur dhe katër figura njerëzish me krahun lart, të ndjekura nga fjala “Ciao”. Mesazhi ishte drejtuar te Franc Çopjes.
Një pjesë e madhe e mesazheve të lexuara gjatë seancës lidhen, sipas hetuesve, me Flobenc Mecjan dhe Mikael Qosjan.
Sipas organigramit kriminal të prokurorisë federale, kodi në Sky Ecc i Franc Çopjes shërbente si pikë lidhëse mes Flobenc Mecjas dhe Mikael Qosjas.
Seanca gjyqësore do të ndërpritet dhe do të rifillojë të mërkurën, ku pritet të ketë më shumë qartësi mbi rrjedhën e ngjarjeve dhe rolin e secilit të akuzuar.
Lini një Përgjigje