Për Çelën ekziston një dënim nga gjykatat italiane me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë, për trafik droge. Ndërkohë tek ne është dënuar me 20 vite burg...
Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me policinë kanë zhvilluar sot një operacion antidrogë në vend, i cili ka përfunduar vetëm me arrestimin e një shefi komisariati.
Policia u nis të arrestonte dy personazhe të njohur të botës së krimit, Gëzim Çela dhe Arben Dalipaj, por nuk ka mundur t’i kapë.
Bëhet fjalë për vijimin e operacionit “Flakë në det”, që u zhvillua në muajin gusht. Në atë operacion u arrestuan 4 shqiptarë dhe ukrainas, pasi po shkëmbenin drogë në det.
Nga hetimet rezulton se të përfshirë kanë qenë dhe shtetasit: Gëzim Çela banues në Fushë Kuqe, Arben Dalipaj banues në Vlorë, Roland Guza, banues në Durrës dhe Dritan Metaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Laç. Mësohet se 3 të parët nuk janë gjetur dot dhe është arrestuar vetëm shefi i komisariatit.
Ndërkohë policia ka zhvilluar kontrolle në banesat e 4 personave, duke bërë që operacioni të shtrihet në Vlorë, Maminas, Kurbin dhe Fushë Krujë. Mësohet se policia rrethoi banesën dhe një lokal të Gëzim Çelës, i cili dyshohet se është kreu i grupit. Por policia nga kontrollet që ka bërë nuk ka gjetur asnjë shenjë të Çelës, i cili dyshohet se ndodhet jashtë vendit bashkë me 3 të kërkuarit e tjerë.
Por kush është Gëzim Çela?
Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërrouan një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, përmes edhe territorit shqiptar.
Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai luante rolin e korrierit të drogës që kishte marrë në Prishtinë. Në të njëjtën kohë në Prishtinë u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.
Kurse gjatë kontrolleve të ushtruara në shtëpinë e Gezim Çelës në Fushë Kuqe të Mamurrasit, u gjetën 18 kiliogramë heroinë, 150 kilogramë kanabis sativa. Si dhe u sekuestruan 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.
Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Por kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte.
Kur mbërrinte në Shqipëri droga dërgohej në shtëpinë e Gëzim Çelës, në Fushe Kuqe. Nga ku kishte si destinacion final vendet e Perëndimit. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Çelës, policia ka mundur të sekuestrojë 20 bidona açeton dhe 500 litra perzierës. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës.
Për Çelën ekziston një dënim nga gjykatat italiane me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë, për trafik droge. Ndërkohë tek ne është dënuar me 20 vite burg. Para 1997-ës, Çela ka qenë oficer i Forcave Speciale.
Lini një Përgjigje