
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë shtetas të huaj të dyshuar për përfshirje në një grup kriminal që vepronte në Shqipëri. Të pandehurit janë Nazar Khamuili, Mark Pettenko, Karow Oskiera, Oleksander Tavoroski, Mariana Szrarevva dhe Oleh Kulsha.
Bëhet me dije se, dosja është dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku gjashtë të dyshuarit akuzohen për “grup kriminal” dhe “trafikim të personave të rritur”, vepra të kryera në kuadër të një organizate kriminale.
Ky grup u zbulua rreth një vit më parë në Vlorë, ku autoritetet gjetën disa shtetas ukrainas që punonin në kompjuterë dhe që dyshohet se përmes aplikacioneve të ndryshme online kryenin aktivitete të paligjshme, të cilat janë ende nën hetim.
Në dëshminë e dhënë në gjykatë, një prej viktimave të dyshuara të këtij rrjeti tregoi mënyrën e rekrutimit. “Më rekrutuan në Varshavë. Më rekrutoi Juri. Ata më bënë testin e poligrafit për të zbuluar nëse isha i lidhur me policinë, isha gazetar apo përdorues. Do paguhesha 250 dollarë në javë dhe 25 dollarë për këdo që rekrutoja”, ka deklaruar ai.
Hetimet nisën pasi ambasada e Ukrainës përcolli një ankesë të bazuar në informacionet e Volodymir Savinov, i cili raportoi se nipi i tij po detyrohej të punonte me dhunë. Në gjykatë, një tjetër shtetas ukrainas, Kiril, deklaroi se ishte dhunuar pasi kishte nxjerrë një informacion dhe se incidenti ishte filmuar dhe dërguar në Varshavë.
Policia ndërhyri në adresën e sinjalizuar dhe në ambientet e një salloni gjeti gjashtë persona të ulur përpara kompjuterëve. Gjatë marrjes në pyetje, nipi i ankuesit deklaroi se punën e kishte gjetur përmes aplikacionit Telegram dhe se ishte intervistuar nga një person me nofkën “Fresku”.
Sipas dëshmive, pasi u punësua, të riut iu shfaqën video të dhunës ku, sipas tij, punëdhënësit shfaqeshin duke thyer gjymtyrët e personave që nuk bindeshin.
Viktimat kanë deklaruar se puna e tyre konsistonte në rekrutimin e personave për transport droge. Në rast se rekrutët bindeshin, ata referoheshin tek persona të tjerë me nofkat “Mustang” dhe “Kika”. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, të rinjve u ishin marrë pasaportat për të mos u larguar.
Lini një Përgjigje