TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Mars 2026, 11:15

‘Ushtari’ i Licëve ende në kërkim, shokët ‘kyçin’ gojën në polici: Nuk e njohim, e morëm rastësisht në makinë

Shkruar nga Pamfleti
‘Ushtari’ i Licëve ende në kërkim, shokët
Barush Bregu dhe Ibrahim Lici

Policia në Shkodër vazhdon operacionin për gjetjen dhe arrestimin e Barush alias Bajram Bregut, i cili dy ditë më parë arriti t’u largohej forcave të rendit gjatë një ndjekjeje në qytet. Gjatë momentit të arratisjes, ai dyshohet se qëlloi me armë zjarri në ajër për të kërcënuar policinë.

Bregu ndodhej në një automjet së bashku me dy persona të tjerë. Në mjet ishte drejtuesi Ervis Baba dhe një i mitur. Policia arrestoi të dy, ndërsa pasagjeri i tretë arriti të largohej.

Para gjykatës, Ervis Baba deklaroi se nuk e njihte personin që kishte marrë në automjet dhe se e kishte marrë rastësisht gjatë rrugës. Ai mohoi gjithashtu çdo lidhje me Barush Bregun.

“Një person më nxori dorën në rrugë teksa po ecja me makinë. U ndala dhe e mora por unë nuk e njoh se kush ishte. Nuk e kam idenë se kush është ai person pasi nuk kam asnjë lidhje me të. Thjeshtë e mora rastësisht teksa po ecja me makinë”, ka deklaruar 43-vjeçari.

Edhe 17-vjeçari i ndaluar nuk ka dhënë deklarime të tjera për ngjarjen.

Ngjarja ndodhi pasditen e 10 marsit rreth orës 15:10 në lagjen “Guerrile”. Shërbimet e policisë i bënë shenjë ndalimi automjetit për kontroll, por drejtuesi i mjetit nuk u bind dhe shtoi shpejtësinë duke kryer manovra të rrezikshme. Forcat e policisë nisën ndjekjen e automjetit.

Gjatë kësaj ndjekjeje, sipas dyshimeve të policisë, pasagjeri Bajram Bregu qëlloi një herë në ajër me armë zjarri dhe më pas u largua nga vendi. Policia arriti të ndalojë vetëm drejtuesin e automjetit dhe të miturin.

Efektivët kërkuan përforcime pasi Bregu konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Deri në mbërritjen e forcave të tjera, ai kishte arritur të largohej në drejtim të panjohur.

Policia dyshon se ai mund të ketë përdorur kalimet mes oborreve dhe bahçeve të banesave në zonën e Kirasit, ku disa prona kanë dalje të ndërlidhura që mundësojnë lëvizjen nga një oborr në tjetrin. Gjatë kërkimeve në zonë, policia përdori edhe dron për kontroll nga ajri. Forcat e rendit kontrolluan edhe një banesë ku dyshohej se ai mund të fshihej, por nuk e gjetën.

Barush Bregu është shpallur në kërkim edhe pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Shkodër më 8 shtator 2025. Hetuesit dyshojnë se ai i ka siguruar armën autorit të dyshuar Ragip Gila. Autoritetet e konsiderojnë atë person të lidhur me grupin kriminal Lici.



Lini një Përgjigje