TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Mars 2026, 22:45

Ndërmjetësit e narkotrafikut, si rrjetet shqiptare lidhen me bandat në Amerikën Latine

Shkruar nga Pamfleti
Ndërmjetësit e narkotrafikut, si rrjetet shqiptare lidhen me bandat
Foto e publikuar nga media ekuadoriane

Media ekuadoriane Primicias ka publikuar një analizë mbi rolin e rrjeteve kriminale shqiptare në trafikun global të kokainës, duke theksuar se ato operojnë nëpërmjet ndërmjetësve të njohur si “fixers”, të cilët lidhin kartelët e Amerikës Latine me rrjetet e shpërndarjes në Evropë dhe organizojnë logjistikën, korrupsionin dhe transportin e drogës përmes porteve të rajonit.

Në ekonominë e fshehtë të trafikut global të drogës po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim aktorë të ndryshëm nga bosët e mëdhenj të kartelit apo drejtuesit e bandave të armatosura. Shpesh pushteti përqendrohet edhe te figura më pak të dukshme: të ashtuquajturit “fixers”, ndërmjetës që lidhin rrjetet kriminale ndërkombëtare me grupet lokale.

Këta ndërmjetës organizojnë logjistikën, financat dhe korrupsionin e nevojshëm për të siguruar që kokaina të lëvizë nga zonat e prodhimit në Amerikën Latine drejt tregjeve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Në vende si Ekuadori, ata sigurojnë që dërgesat e kokainës – të ruajtura nga banda të armatosura lokale – të kenë mundësi të shmangin kontrollet dhe të futen në kontejnerë që ngarkohen në anije tregtare përmes porteve detare.

Studiuesi ekuadorian Renato Rivera, ekspert i sigurisë dhe ekonomisë kriminale pranë Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar (GiTOC), ka analizuar rolin e këtyre ndërmjetësve në zinxhirin global të trafikut të drogës.

Sipas tij, këta operatorë marrin një pjesë të konsiderueshme të fitimeve. “Ndërmjetësit mund të kapin deri në 30% të përfitimit në disa raste”, shpjegon Rivera.

Ai thekson se roli i tyre ndihmon edhe për të kuptuar diferencën e madhe të çmimit të kokainës në tregun global.

Në zonat prodhuese të rajonit andin, një kilogram kokainë mund të kushtojë rreth 1,500 dollarë, ndërsa në Evropë çmimi arrin deri në 30,000 dollarë. Kjo diferencë shpërndahet midis aktorëve logjistikë dhe financiarë të zinxhirit kriminal, ku një pjesë e madhe e fitimeve përfundon pikërisht te ndërmjetësit.

Rivera thekson se një nga keqkuptimet më të mëdha është ideja se kartelët ndërkombëtarë duhet të kenë patjetër anëtarë të tyre në çdo vend ku operojnë.

Gabimi është të mendosh se kur flasim për një kartel ose një grup kriminal të huaj, kjo do të thotë se ata kanë domosdoshmërisht anëtarë të vendosur në Ekuador. Ata kanë biznes këtu dhe punojnë me rrjete lokale, por përmes ‘fixers’, ndërmjetësve që lidhin dy grupe kriminale për të lëvizur kokainën,” shpjegon ai.

Termi “fixer” vjen nga anglishtja dhe përdoret për të përshkruar një person që organizon apo zgjidh probleme për të tjerët, shpesh në mënyrë të dyshimtë ose jo ligjore.

Fenomeni lidhet me transformimin e trafikut të drogës që nga fundi i shekullit XX. Pas shpërbërjes së kartelëve të mëdhenj në vitet ’80 dhe ’90, rrjeti i prodhimit, transportit dhe shpërndarjes së drogës u bë më i decentralizuar. Kjo krijoi një sistem ku secili aktor specializohet në një pjesë të zinxhirit kriminal.

Në këtë strukturë u shfaqën edhe “fixers”, njerëz që organizojnë kontaktet, zgjidhin problemet logjistike dhe lidhin aktorë të ndryshëm kriminalë.

Rivera thotë se në disa raste edhe figura politike mund të luajnë këtë rol.

Ka raste kur edhe politikanë shërbejnë si ‘fixers’ për grupet kriminale. Për shembull, mund të jetë një kryetar bashkie që ofron lehtësi, kontrata publike, terrene për magazinimin e drogës ose për uljen e avionëve të vegjël”, shpjegon ai.

Në praktikë, ndërmjetësit mund të lidhin blerës nga Meksika ose Evropa me furnizues kokainë në Kolumbi, të kontraktojnë banda lokale për transportin drejt porteve dhe të mbikëqyrin dërgesat e drogës.

Ata gjithashtu luajnë rol kyç në korrupsionin institucional, duke paguar ryshfete për zyrtarë dhe policë.

Paratë për ryshfetin vijnë nga grupi që kërkon shërbimin. Kjo është arsyeja pse kostot në këtë fazë janë kaq të larta”, thotë Rivera.

Përveç transportit të drogës, ndërmjetësit ndihmojnë edhe në pastrimin e parave, duke lidhur organizatat kriminale me ekspertë në shmangien e taksave, krijimin e kompanive apo menaxhimin e kapitalit të paligjshëm.

Në Ekuador, këtë rol ndërmjetësimi e kanë luajtur edhe rrjete të lidhura me mafien ballkanike, shpesh të identifikuara si mafia shqiptare.

Një rast i fundit është arrestimi i ekuadorianit Hernán Ruilova, i njohur si “Chente”, i cili sipas prokurorisë ishte një ndërmjetës kyç mes bandës ekuadoriane Los Lobos dhe rrjeteve kriminale shqiptare që dërgonin kokainë drejt Evropës të fshehur në ngarkesa bananesh.

Sipas hetimeve, ai koordinonte marrjen, magazinimin dhe paketimin e drogës, si dhe vepronte si lidhje me financues të huaj të operacionit.

Eksperti i sigurisë për Amerikën Latine Tiziano Breda paralajmëron se konkurrenca për të kontrolluar këto rrjete ndërmjetësimi po rritet vazhdimisht.

“Në rajon ekziston një konkurrencë gjithnjë e më e dhunshme mes një numri në rritje grupesh kriminale për të pasur akses në këtë rrjet gjithnjë e më kompleks ndërmjetësish të trafikut të drogës,” thekson ai.

Sipas analistëve, pikërisht këta ndërmjetës – shpesh të padukshëm për publikun – janë bërë një nga hallkat më të rëndësishme të trafikut global të kokainës. /Përshtatur nga "Primicias"

ekuador mediat kartele

Lini një Përgjigje