
Gjykata e Fierit ka dhënë masat e sigurisë për të arrestuarit e skemës piramidale online që u godit 2 ditë më parë nga policia.
Gjykata e Fierit ka vendosur masën “arrest në burg për 60 ditë” për 4 nga të arrestuarit. Konkretisht, Gjykata caktoi arrest me burg për 2 zyrtaret e bashkisë Brunilda Ndini e Brunilda Todi dhe për Arbër Çelën dhe Marius Kodrës.
Ndërkohë, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për dy kamarierët Emanuel Taullau dhe Flavio Muka, të cilët sipas materialeve hetimore ishin përfshirë po ashtu në rekrutimin e qytetarëve në skemën XUEX. Policia vijon kërkimet për çiftin Erledio dhe Alma Shebeku.
Qytetarëve iu premtoheshin fitime të larta përmes investimeve në kriptomonedha, ndërsa udhëzimet jepeshin në grupe të mbyllura në aplikacionin “Telegram” nga një person i identifikuar si “Leo Smith”.
Gjashtë të arrestuarit janë përfituesit më të mëdhenj të platformës XUEX, të cilët kanë marrë shuma të mëdha parash në fillim dhe më pas kanë bërë pjesë të skemës, njerëz të rrethit të tyre familjar e shoqëror.
Mësohet se janë të paktën 900 qytetarë që kanë rënë pre e mashtrimit në Lushnje, Divjakë, e Fier. Shumë prej “viktimave” të skemës piramidale online janë bujq, të cilët kanë shitur edhe mjete bujqësore për të investuar në këtë skemë.
Duke iu referuar pragut minimal prej 1000 dollarësh për investim në platformën “XUEX, vlera e parave që iu është marrë qytetarëve përllogaritet të jetë shumë e lartë. Ka qytetarë që kanë hedhur deri në 20 mijë USD. Për momentin, platforma është e bllokuar dhe paratë konsiderohen të humbura.
Lini një Përgjigje