TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Janar 2025, 09:53

“Si nuk na dhe nga rakia e gruas”, Isuf Hasa dëshmon për vrasjen e fqinjit të moshuar: Më ngacmonte bashkëshorten

Shkruar nga Pamfleti
“Si nuk na dhe nga rakia e gruas”, Isuf Hasa dëshmon për
Isuf Hasa-Xhemal Meta

Autori i vrasjes së 81-vjeçarit në Shëngjin të Vogël, Isuf Hasa ka pranuar krimin e rëndë. Ai ka dëshmuar në polici duke treguar edhe shkakun që e çoi në vrasjen e të moshuarit.

Isuf Hasa është shprehur se viktima e ofendonte dhe shante sa herë që e shikonte në fshat. Para agjentëve të policisë, 64-vjeçari treguar se kishte shkuar në shtëpinë e Xhemal Metës dhe kishin pirë kafe ndërsa aty nisi debati. Madje ai ka ngritur pretendime se i moshuari i ka hedhur fjalë duke i ngacmuar dhe bashkëshorten.

"Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte: "Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas". Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte sepse mi kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar te stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë", tha Isuf Hasa në dëshminë e tij.

Burime nga policia tregojnë se Isuf Hasa është shoqëruar edhe pas ngjarjes dhe është lënë i lirë qëllimisht, ndërsa fillimisht mohonte të kishte lidhje. Por më pas, nëpërmjet provave u zbulua se ishte ai autori. Këtë herë, ai u prangos në shtëpinë e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi 3 ditë më parë. I moshuari u gjet i pajetë në oborrin e banesës së tij, me dëmtime të rënda në pjesën e pasme të kokës. Kështu, policia nisi hetimet e mëtejshme për vrasjen. Mësohet se fqinji i tij e ka goditur me çekiç mëngjesin e 13 Janarit, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas i ka marrë 200 mijë lekë të rinj që Meta kishte në xhep dhe është larguar nga vendngjarja.

Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e vajzës së Isuf Hasës në fshatin Gjokaj të Vorës, ku kanë gjetur çekiçin me të cilin 64-vjeçari ka kryer krimin.

Lini një Përgjigje