TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Gusht 2023, 09:15

Sekuestrimi i 121 mijë eurove në Portin e Durrësit, policia reagon pas 24 orësh: Kemi arrestuar pronarin e autobusit

Shkruar nga Pamfleti

Sekuestrimi i 121 mijë eurove në Portin e Durrësit, policia

24 orë pasi në media u raportua se në Portin e Durrësit janë sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash, policia e shtetit ka reaguar.

Me anë të një njoftimi, bëhet me dije se pronari i një autobusi është arrestuar në Durrës, pasi ka tentuar të fusë në vendin tonë në mënyrë të paligjshme mbi 121.000 mijë euro.

Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë Leonard Nikolli. Ai i kishte fshehur eurot në tavanin e autobusit. 

Sakaq, është proceduar penalisht shoferi i idnetifikuar si Ergys Sadikaj, ndërsa paratë u gjetën të fshehura në tavanin e autobusit të linjës “Durrës-Bari-Durrës”.

"Operacioni policor i koduar “Fluksi”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia Kufitare, në të gjithë vendin. Sekuestrohen 121 680 euro të padeklaruara në PKK Port Durrës. Operacioni, rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se me një autobus, po trasportohej një shumë e konsiderueshme eurosh, me qëllim shmangien e deklarimit të tyre në pkk. Tentoi të fuste në vendin tonë 121 680 euro që ishin fshehur në tavanin e autobusit, me qëllim mosdeklarimin konform ligjit, arrestohet në flagrancë pronari i autobusit.

Procedohet penalisht drejtuesi i këtij autobusi. Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, krahas angazhimit maksimal për të përballuar fluksin e turistëve, vizitorëve dhe shtetasve shqiptarë që vijnë në Shqipëri për qëllime turistike, kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fluksi”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të finalizuara në këtë pkk, për parandalimin e futjes së shumave të konsideruehsme të parave, pa i deklaruar, shuma të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, në pronësi të shtetasit L. N. dhe me drejtues shtetasin E. S. Gjatë kontrollit të ushtruar në tavanin e këtij autobusi, të kryer duke përdorur metoda bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 121 680 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk, konform ligjeve në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi L. N., 44 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 34 vjeç, të dy banues në Durrës. Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.

 

porti i durrestit 121 mije euro policia

Lini një Përgjigje