
Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vrasja që tronditi vendin, Policia e Shkodrës dhe ajo e Shtetit janë ende pa autorë dhe motive.
Ndërkohë që grupi hetimor është rikthyer edhe ditën e djeshme në vendin e krimit, ata kanë mundur të mbledhin vetëm gëzhojat që kanë mundur të gjejnë në atë anë të rrugës, ku Gjokë e Eduart Gurra ranë në pritën e ngritur nga vrasësit e tyre.
I vetmi njeri që ka mundur të tregojë diçka mbi atë që ka dëgjuar dhe parë është një person, që sipas të dhënave është i fisit të viktimave, i cili në momentin që ka dëgjuar krismat e armëve ka qenë duke tentuar të shuajë vatrat e zjarrit në banesën e Gjokë Gurrës.
Ai është i vetmi dëshmitar i atyre momenteve fatale, por që ai nuk ka mundur të shquajë asnjë person, pasi sipas të dhënave prita ka qenë ngritur në hyrje të lagjes Sumë, rreth 500 metër larg vendit ku po digjej shtëpia. Kushëriri i viktimave, mësohet se i ka lënë flakët dhe është nisur në drejtim të vendit nga kanë ardhur krismat e armëve dhe aty është përballur me babë e bir të vrarë në makinë, që sipas policisë ishte një fuoristradë.
Çfarë kanë nxjerrë në dritë hetimet?
Referuar të dhënave jo zyrtare bëhet me dije se në fokusin e hetimeve është vendosur vrasja për shkak të detyrave që ka kryer Gjokë Gurra. Duke qenë se prej vitesh ai ishte kryeplak i fshatit ku ka lindur, ka dyshime të arsyeshme që Gurra të ketë kryer detyrat që i njeh ligji për atë pozicion.
Megjithatë, duke qenë se policia duhej të ishte edhe institucioni ndërveprues i kryeplakut, është e pakuptimtë vonesa në identifikimin e personit apo personave që janë prekur drejtpërdrejt nga ushtrimi i kësaj detyre. Po ashtu hetohet edhe pista e konkurrencës për tregtinë e lëndës drusore, një punë që familja Gurra e ka bërë prej më shumë se një dekade. Të dhënat tregojnë se Gjokë Gurra asnjëherë nuk kishte pasur probleme për shkak të kësaj pune.
Sipas të dhënave të para mendohet se ka qenë një person që ka gjuajtur, pasi policia ka mundur të mbledhë gëzhoja që dyshohet se kanë dalë nga e njëjta armë. Ndërkohë priten rrëfimet e familjarëve, hapja e tabulateve të telefonave si dhe konfliktet që mund të ketë pasur familja ndër vite për të shkuar tek autori ose personat e interesuar për t`i ekzekutuar babë e bir.
Lini një Përgjigje