Një 66-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi në banesën e tij është gjetur një arsenal armësh. Qemal Ajazi prodhonte mina me telekomanë për t’ua shitur grupeve kriminale.
Policia ka sekuestruar 3 mina me telekomandë, 2 armë zjarri, 40 kallëpe tritoli, 45 kapsolla detonatore, 45 krehra me fishekë dhe rreth 2 200 fishekë luftarak.
"Strukturat hetimore të DVP Lezhë kanë koordinuar veprimet me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “AMONEKS”, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë në fshatin Arrëmollë të Lurës, shtetasin: Q. A., 66 vjeç, banues në Arrëmollë, Lurë.
Ky shtetas prodhonte mina me telekomandë, siguronte municion të konsiderueshëm luftarak dhe armë zjarri, me qëllim shitjen e tyre në qarkun Lezhës, për llogari të personave apo grupeve që kryenin veprimtari kriminale. Në momentin e arrestimit të këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, municion luftarak, mina me telekomandë, kapsolla detonatore, lëndë eksplozive etj. Strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me ato të DVP Dibër dhe Prokurorinë, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast."-njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje