
Nënkomisari, Shkëlzen Gjonaj është përjashtuar nga rradhët e policisë së shtetit, pas publikimit të një video të tij ku hyn brenda mjetit të një qytetari dhe i kontrollon portofolin.
Nga pamjet e bëra publike, efektivi shihet se merr një portofol me një zarf të vogël me 350 mijë lekë dhe 50 euro.
Gjithashtu janë publikuar video ku ai godet me grushte e shkelma një të ri brenda një lokali në Shkodër. AMP raportohet se është duke kryer veprimet procedurale për arrestimin e Shkëlzen Gjonajt.
“Në vijim të informacionit të dhënë nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, për pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër, sqarojmë se:
Pas transmetimit të një rasti tjetër të abuzimit me detyrën nga ky punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj.
Ndërkohë AMP është duke kryer veprimet procedurale për arrestimin e tij”, thuhet në njoftimin e AMP.
Lini një Përgjigje