TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Mars 2026, 17:09

Prapaskenat/ Operacioni në Vlorë u dirigjua nga DEA, grupi trafikoi afro 2 ton kokainë dhe kanabis në vendet evropiane

Shkruar nga Pamfleti
Prapaskenat/ Operacioni në Vlorë u dirigjua nga DEA, grupi trafikoi
Foto ilustruese

Operacioni i zhvilluar sot nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në Vlorë duket se është dirigjuar nga DEA amerikane.  

Vetë SPAK bëri me dije se operacioni është rezultat i një bashkëpunimi ndërkombëtar mes DEA, Europol, Eurojust dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa në terren janë angazhuar Byroja Kombëtare e Hetimit, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Sipas hetimeve, grupi kriminal dyshohet se kishte ngritur një rrjet të strukturuar trafiku droge që furnizonte tregun europian, duke transportuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt porteve të mëdha të Europës dhe më pas në vende të ndryshme të BE-së.

Në portin e Roterdamit në Holandë janë sekuestruar rreth 750 kilogramë kokainë, e porositur në Ekuador dhe me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, 14 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga policia greke në Patra brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda, ndërsa hetimet tregojnë se në të njëjtin transport dyshohet të ishte organizuar edhe një tjetër ngarkesë droge drejt Italisë.

Në një tjetër rast, autoritetet gjermane sekuestruan 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor të vitit 2020.

Po ashtu, hetimet kanë dokumentuar edhe sekuestrime të cannabis sativa, përfshirë 227 kilogramë në Turqi dhe rreth 500 kilogramë në Maqedoninë e Veriut, të cilat dyshohet se transportoheshin me kamionë përmes Greqisë.

Operacioni

Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka lëshuar 8 urdhër-arreste, ndërsa njëri prej tyre është mbajtur i fshehtë për të shmangur dekonspirimin e aksionit.

Personi i kërkuar rezultoi të ishte punonjës policie në detyrë, Rezart Kuçi, aktualisht shef seksioni në Policinë Shkencore në Kukës. Ai u arrestua nën dyshimin për shpërdorim detyre, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se në periudhën kur dyshohet se janë kryer veprat penale, Kuçi ka mbajtur disa poste në Policinë e Shtetit, përfshirë shef për hetimin e krimeve në Vlorë, si dhe detyra të tjera në Lushnjë, në komisariatin nr.1 në Tiranë dhe së fundi në Kukës.

Në kuadër të të njëjtit hetim, me urdhër të SPAK dhe në bashkëpunim me autoritetet zvicerane, është arrestuar në Zvicër edhe ish-punonjësi i policisë Hamëz Demushi.

Sipas burimeve nga hetimi, janë dokumentuar disa episode të trafikut të drogës drejt Gjermanisë dhe Holandës, ndërsa hetuesit dyshojnë se rrjeti kishte krijuar një mekanizëm të sofistikuar financiar për financimin dhe transportin e narkotikëve.

Hetimet e SPAK kanë çuar edhe në zbardhjen e dy atentateve mafioze të ndodhura në Vlorë në vitin 2021, atë të Gentjan Qarrit më 6 shkurt dhe të Bledar Birçajt më 10 mars të po atij viti.

Sipas hetuesve, pas këtyre ngjarjeve dyshohet se qëndron grupi i Inez Hajrullës, një personazh i njohur për autoritetet në Vlorë, i cili deri më tani i ka shpëtuar disa atentateve.

Forcat RENEA, FNSH dhe BKH zhvilluan kontrolle në orët e para të mëngjesit për arrestimin e tij, por Hajrulla nuk u gjet, pavarësisht një operacioni disa orësh në qytetin bregdetar. Dyshimet janë se operacioni u dekonspirua.

droge spak dea

Lini një Përgjigje