Një ngjarje tragjike ka tronditur Milanon, ku një efektiv i Policisë Lokale, Francesco Imprezzabile, 39 vjeç, humbi jetën gjatë një ndjekjeje të një automjeti që drejtohej nga një shtetas shqiptar.
Sipas mediave italiane, gjithçka nisi mbrëmjen e së hënës në zonën periferike të Ponte Lambro-s, kur një Audi Q7 me qira nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në një postbllok dhe u largua me shpejtësi. Në automjet ndodheshin dy shtetas shqiptarë.
Pas automjetit u vu menjëherë polici Francesco Imprezzabile me motorin e shërbimit, i mbështetur edhe nga patrulla të Policisë Rrugore. Ndjekja vijoi deri në territorin e Peschiera Borromeo, në lindje të Milanos.
Rreth orës 21:00, për arsye që ende nuk janë sqaruar plotësisht, polici humbi kontrollin e motorit dhe u rrëzua në rrugën “Via Milano”, pranë aeroportit të Linate-s. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të emergjencës dhe transportimit drejt spitalit Niguarda, 39-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Të martën në mëngjes autoritetet gjetën Audin Q7 të braktisur në Pioltello, rreth 10 kilometra larg vendit të aksidentit. Pak më vonë, policia identifikoi dhe ndaloi shoferin shqiptar, së bashku me një bashkëkombës të tij, në provincën Monza dhe Brianza, gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë Lokale të Monzës dhe Milanos.
Hetimet po përqendrohen te dinamika e rrëzimit të policit. Autoritetet po shqyrtojnë disa pista, përfshirë mundësinë që motori të ketë pasur kontakt me Audi-n gjatë ndjekjes ose që polici të jetë goditur qëllimisht nga automjeti në arrati. Patrullat e tjera që merrnin pjesë në operacion nuk kanë mundur të shohin momentin e saktë të aksidentit.
Prokuroria e Milanos ka hapur hetime për veprat penale të dyshuara “vrasje rrugore” dhe “largim i rrezikshëm nga policia”. Përpara formalizimit të akuzave, hetuesit presin raportet zyrtare të Policisë Lokale dhe Policisë Rrugore. Ndërkohë është urdhëruar edhe autopsia e trupit të efektivit.
Autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe sistemet e leximit të targave në zonat përreth për të rindërtuar me saktësi ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të ndaluar.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në Itali. Presidenti Sergio Mattarella u shpreh “thellësisht i trishtuar” për humbjen e policit, ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve italiane shprehën ngushëllime për familjen dhe kolegët e tij.
Lini një Përgjigje