
Dy persona janë arrestuar nga policia e Korçës pasi u kapën duke transportuar mallra kontrabandë nga Greqia. Ndërkohë nën hetim janë vënë edhe 4 punonjës të doganës në Kapshticë, pasi akuzohen për veprën penale "Shpërdorim detyre".
Konkretisht janë proceduar shtetasit Dritan Çekani 46 vjeç, Vangjush Nole 38-vjeç, Klodian Palloi 45 vjeç dhe Renato Molla 40 vjeç.
Autorët u kapën në flagrancë në aksin rrugor Kapshticë - Bilisht. Policia ka sekuestruar veshjet, 2 automjete dhe 3 celularë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar operacionin policor të koduar "Mission failed", për goditjen e një rasti në këtë fushë.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Kapshticë – Bilisht”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetet me drejtues shtetasit L. N. dhe Xh. N. Gjatë kontrollit në këto 2 automjete, shërbimet e Policisë kanë gjetur veshje të ndryshme, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit L. N., 24 vjeç dhe Xh. N., 24 vjeç, banues në Bilisht, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit D. Ç., 46 vjeç (Drejtor i Degës Doganore Kapshticë), V. N., 38 vjeç (përgjegjës turni), K. P., 45 vjeç dhe R. M., 40 vjeç (doganierë), pasi dyshohet se nuk kanë kryer veprimet për zhdoganimin e mallrave, sipas ligjit”, njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje