
Katër shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane pasi u kapën në flagrancë duke shkëmbyer një sasi kokaine, në Lucca.
Operacioni është kryer më 14 Janar dhe u publikua vetëm ditën e sotme. Ka qenë Drejtori i Zyrës së Parandalimit të Përgjithshëm dhe Shpëtimit Publik, ai që duke kaluar në rrugë pas shërbimit në lagjen ‘Mugnano’, ka vënë re një makinë me tre persona të dyshimtë brenda, ndaj ka kontaktuar menjëherë efektivët për verifikime.
Pak para mbërritjes së patrullës, një tjetër makinë e vogël erdhi përkrah të treve, me një burrë në timon, në të cilën hyri një nga tre shqiptarët që ndodheshin në mjetin tjetër, dukshëm për të shitur apo shkëmbyer mallin.
Kur panë policinë, të dy zbritën nga makina dhe hodhën 2 mbështjellës në një distancë të shkurtër pranë linjës hekurudhore.
Pas kontrollit të makinave të sekuestruara dhe të 4 të arrestuarve, është gjetur në çantën e njërit prej tyre shuma prej 4 mijë eurosh cash. Të 4-të janë arrestuar për trafik droge dhe janë vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Lini një Përgjigje