
Një nga ndryshimet kryesore të propozuara është dhënia e kompetencës Këshillit të Ministrave për të pezulluar punimet e ndërtimit në zonat turistike gjatë sezonit turistik...
Një projektligj i ri për ndryshime në ligjin "Për turizmin", i depozituar në Kuvend nga Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, synon të forcojë standardet e zhvillimit të turizmit në Shqipëri përmes një sërë masash që prekin ndërtimet në zonat turistike, funksionimin e strukturave akomoduese dhe administrimin e plazheve.
Një nga ndryshimet kryesore të propozuara është dhënia e kompetencës Këshillit të Ministrave për të pezulluar punimet e ndërtimit në zonat turistike gjatë sezonit turistik. Sipas projektligjit, vendimi do të përcaktojë zonat ku do të zbatohet pezullimi, llojet e punimeve që ndalohen, periudhën e zbatimit dhe, nëse është e nevojshme, edhe oraret gjatë të cilave ndërtimet nuk do të lejohen. Koha e pezullimit do të llogaritet si shtyrje e afatit të lejeve të ndërtimit, në mënyrë që subjektet të mos humbasin të drejtat e tyre.
Projektligji sjell gjithashtu ndryshime në mënyrën e kategorizimit dhe klasifikimit të strukturave akomoduese. Një risi është vendosja e detyrimit që investitorët të pajisen me një certifikatë paraprake kategorizimi përpara miratimit të lejes së ndërtimit për hotele dhe struktura të tjera akomoduese. Ndërkohë, kategoritë dhe kriteret e klasifikimit nuk do të përcaktohen më drejtpërdrejt në ligj, por me vendim të Këshillit të Ministrave, me synimin për ta bërë sistemin më fleksibël dhe të përshtatshëm ndaj zhvillimeve të tregut.
Një tjetër ndryshim lidhet me regjistrimin elektronik të klientëve. Strukturat akomoduese do të kenë detyrimin të regjistrojnë në mënyrë elektronike të dhënat për vizitorët, netët e qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, për qëllime statistikore dhe administrative, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Projektligji parashikon edhe masa për mbrojtjen e aksesit publik në vijën bregdetare. Operatorët e stacioneve të plazhit do të detyrohen të garantojnë kalimin e lirë të qytetarëve drejt detit dhe përgjatë bregut, ndërsa ndalohet vendosja e gardheve, mureve apo pengesave të tjera që kufizojnë këtë akses. Shkelja e këtij detyrimi do të dënohet me gjobë deri në 200 mijë lekë, ndërsa mosrespektimi i pezullimit të punimeve gjatë sezonit turistik do të ndëshkohet me gjobë prej 2 milionë lekësh.
Në relacionin shoqërues argumentohet se ndërtimet gjatë sezonit turistik kanë krijuar ndër vite ndikime negative në cilësinë e shërbimeve, sigurinë, qarkullimin dhe përvojën e turistëve. Sipas hartuesve të nismës, ndryshimet synojnë të balancojnë interesin publik për zhvillimin e turizmit me të drejtat e investitorëve, duke parashikuar që periudha e pezullimit të kompensohet me shtyrjen e afateve të lejeve të ndërtimit.
Sipas relacionit, projektligji nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe ka karakter kryesisht procedural, ndërsa zbatimi i tij do të ngarkohet Ministrisë përgjegjëse për turizmin, Këshillit të Ministrave, autoriteteve që lëshojnë lejet e ndërtimit, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Lini një Përgjigje