
Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, ku një 27-vjeçar, i identifikuar si Renato Çadra, u paraqit në spital me plagë me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në zonën e Treshit në Kamzë. Lidhur me ngjarjen policia, sipas raportimeve, ka arrestuar shtetasit Bekim Nikolli, Alfred Lleshi dhe Ibrahim Kupa, ndërkohë ka shpallur në kërkim edhe një tjetër person.
“Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spital ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi R. Ç., 27 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Tiranë, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes,, ku në drejtimin e Prokurorisë, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorëve.
Në vijim të veprimeve për këtë rast:
-u arrestuan shtetasit B. N., 47 vjeç dhe A. Ll., 42 vjeç, për veprat penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentative dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-u arrestua shtetasi I. K., 51 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;
-shpallën në kërkim shtetasin S. N., 35 vjeç”, njoftoi Policia.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasit B. N., 47 vjeç, A. Ll., 42 vjeç dhe S. N., 35 vjeç, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, kanë plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin R. Ç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa shtetasi I. K., 51 vjeç, nuk ka kallëzuar për ngjarjen.
Gjithashtu, gjatë konfliktit ka mbetur i dëmtuar lehtë me sende të forta, shtetasi G. Sh., 42 vjeç, i cili ishte në shoqërinë e të dëmtuarit.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjore të ngjarjes si dhe lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje