
Një 45-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi qëlloi me armë zjarri djalin e partneres së tij pas një konflikti.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të së dielës në Milano. I riu mori një plumb në qafë, ndërsa u transportua në spital dhe iu nënshtrua menjëherë operacionit.
Sipas hetuesve, gjithçka ndodhi në kulmin e një debati në rrugë, por motivi nuk është zbuluar ende, edhe pse besohet të jetë xhelozia e të plagosurit, për lidhjen e shqiptarit me nënën e tij.
Shqiptari u arrestua disa orë pas ngjarjes. Ai akuzohet për tentativën e vrasjes së djalit 18-vjeçar të partneres së tij, për “vrasje të mbetur në tentativë”, “marrje e sendeve të vjedhura” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Gjatë kontrollit, hetuesit gjetën një gëzhojë brenda shtëpisë, armën e krimit, një pistoletë e vjedhur në vitin 2013 në Sassuolo (Modena) dhe 40 gëzhoja të të njëjtit kalibër, të gjitha të sekuestruara, shkruan “Ilmessaggero”.
Viktima është transportuar në spitalin Niguarda në Milano, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë, i arrestuari do të dërgohet në burgun e Milan San Vittore, në dispozicion të organeve të drejtësisë për masë sigurie, hetim dhe proces gjyqësor.
Lini një Përgjigje